Atletikë, Luiza Gega e 5-ta në botë, rekord kombëtar dhe kap normat olimpike

Atletja Luiza Gega ka arritur në një garë të vetme, të zhvilluar sonte në mbrëmje në Doha të Katarit, të përmbushë 3 objektiva madhorë. Në fakt, sikundër ishte pohuar edhe sot nga ana e trajnerit të saj, Taulant Stërmasi, në intervistën ekskluzive dhënë AlbanianSport.net, sportistja shtatshkurtër ka shpërthyer në garën e 1,500 metrave, duke u renditur e 5-ta në botë.

Kjo garë, e zhvilluar në kuadër të stacionit të parë të “Diamond Ligës”, veprimtarisë më prestigjioze vjetore të atletikës individuale, ka qenë mjaft e mirë për shqiptaren, e cila është renditur e 5-ta midis 16 sportisteve më të mira në botë të kësaj disiplina, me kohën 4 minuta, 2 sekonda e 63 të qindtat. Kjo kohë shënon edhe thyerjen e rekordit kombëtar të 1,500 metrave, të cilin Luiza Gega e mbante vetë me 4 minuta, 3 sekonda e 12 të qindtat.

Dhe sikur të mos mjaftonte renditja e 5-ta në botë dhe thyerja e rekordit kombëtar, me kohën e arritur sonte në Doha të Katarit, Luiza Gega ka kapur edhe normën e kualifikimit për në Lojërat e ardhshme Olimpike, “Rio 2016”, duke u bërë kështu e para sportiste shqiptare që siguron pjesëmarrjen në Olimpiadën e vitit të ardhshëm në Brazil, pasi norma olimpike ishte nën 4 minuta e 6 sekonda.

SHKARKO APP