Auditimi për zbulimin e korrupsionit dhe mashtrimit

 Nga Selime Bregu* –

Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) mbikëqyrin menaxhimin e financave publike dhe promovojnë transparencën dhe llogaridhënien. Rolin aktiv i SAI-ve në luftën kundër korrupsionit është i dyfishtë në pengimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe mashtrimit, duke identifikuar zonat me risk në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera, si dhe publikimin e rekomandimeve e raporteve të auditimit.

 Institucionet Supreme të Auditimit (SAI), për zbulimin e mashtrimit dhe korrupsionin, hartojnë politika e strategji, mbështetur në standardet e praktikat me të mira ndërkombëtare, të përshtatura me kushtet aktuale të vendit.

Në literaturën juridike ndërkombëtare, termi mashtrim përdoret për të përshkruar, ryshfetin, falsifikim, grabitjen, korrupsionin, vjedhjen, përvetësimin, shpërdorimin, përfaqësimin e rremë, fshehjen e fakteve materiale si dhe marrëveshjet e fshehta. Mashtrimi mund të përkufizohet si përdorimi i mjeteve në formën e një veprimi të qëllimshëm ose të një keqinterpretimi të një fakti material, për qëllim të marrjes së një përfitimi, duke shmangur një detyrim, ose duke shkaktuar humbje të një pale tjetër.

Në sektorin publik ryshfeti, mashtrimi, dhe korrupsioni janë bërë shqetësimet kryesore dhe përbëjnë një devijim të fondeve publike, që dëmtojnë rëndë “portofolin publik”. Korrupsioni nuk bën dallime ekonomike dhe infekton të gjitha format e qeverisjes, ai gërryen besimin e publikut në institucionet politike dhe çon në përbuzje për sundimin e ligjit, ai shtrembëron alokimin e burimeve dhe minon konkurrencën në treg, e kjo ka një efekt shkatërrues mbi investimet, rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Ai gjithashtu përbën një çmim jashtëzakonisht të lartë ndaj të “varfërve”, duke u mohuar atyre qasje në shërbimet bazë jetikë.

Edhe pse veprimet dhe sjellja e nëpunësve civilë mbështetet në rregulla dhe norma etike për një qeverisje të mirë, një fenomen i “pa padukshëm” si korrupsioni nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta, transaksioneve të pa regjistruara, ndryshojnë sjelljen dhe veprimet e tyre, duke lënë në pamje të parë shumë pak prova dhe dokumente për Audituesit.

Institucionet Supreme të Auditimit, të ndodhur në kushtet e një rritje të fenomenit të korrupsionit, që në Kongresin 16 të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, mbajtur në Montevideo, Uruguaj, në vitin 1998, i kushtuan  një vëmendje të veçantë rolit që duhet të luajnë në parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe metodave e teknikave për parandalimin dhe zbulimin e tij.

Ato u pajtuan me opinionin se:

– korrupsioni në strukturat qeveritare, redukton rritjen ekonomike dhe cilësinë e jetës, minon kredibilitetin e institucioneve shtetërore, dhe zvogëlon efektivitetin e tyre, si dhe vunë në dukje korrelacionin e fortë midis korrupsionit dhe dobësimit të institucioneve shtetërore.

-korrupsioni është e lidhur shpesh me mjedisin social ekonomik të popullsisë (padrejtësia sociale, varfëria, dhuna) dhe se, traditat e një vendi, parimet dhe vlerat ndikojnë në natyrën e korrupsionit, si dhe rëndësisë e sfidës ndaj korrupsionit, ku komuniteti INTOSAI ka vërejtur se është e vështirë për të zbuluar shumë vepra të korrupsionit dhe për të vlerësuar ndikimin e tyre financiar, e cila nuk  raportohet në pasqyrat financiare.

-SAI-t mund dhe duhet të përpiqen të krijojmë një mjedis të pafavorshëm për mashtrimin dhe korrupsionin, ashtu siç parashikohet dhe në Deklaratën e Limës miratuar nga INTOSAI në vitin 1977, për të arritur rezultate dhe efektivitet në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit ato duhet të jenë të pavarur dhe kenë mandat të mjaftueshëm.

KLSH në ushtrimin e misionit të saj Kushtetues, në luftën kundër korrupsionin është para një sfide të vështirë por jo të pamundur, e cila kërkon mbështetje ndërinstitucionale, njohuri dhe përvojë për ti kërkuar llogari qeverisë e shkelësve të ligjit.

Rezultatet e luftës ndaj korrupsionit të KLSH-së kanë ardhur në rritje nga viti në vit.

Në kuadër të luftës kundër krimit ekonomik, mashtrimit e korrupsionit dhe forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, KLSH referuar shkeljeve dhe parregullsive të konstatuara, të shoqëruara me dëme të konsiderueshme ekonomike, në vitin 2015 ka denoncuar në Prokurori 51 raste, për163 zyrtarë, në vitin 2014 ka denoncuar në Prokurori 41 raste, për 149 zyrtarë, ndërsa në vitet 2012 dhe 2013 janë kallëzuar respektivisht 38 dhe 40 raste.

 Performanca e KLSH-se dhe nevoja e mbështetjes së këtij institucioni theksohen dhe në rekomandimet e bëra në Progres Raportet e BE të viteve 2012, 2013, 2014 e 2015 për Shqipërinë, ku në veçanti në këtë të fundit në kapitullin 32 “Kontrolli financiar”, në faqen 73, cilësohet se, KLSH ka një ligj të rishikuar në linjë me orientimet e INTOSAI-t,  një kuadër të përshtatshëm kushtetues dhe ligjor për të garantuar pavarësinë funksionale dhe vepruese të institucionit suprem të auditimit (SAI-t). Ajo promovon transparencën dhe llogaridhënien, duke publikuar përmbledhjen e Raporteve të Auditimit çdo katër muaj, që botohen në faqen zyrtare në internet. Progres Raporti i BE i vitit 2015 në veçanti thekson nevojën e mbështetjes së këtij institucioni dhe zbatimit të rekomandimeve të tij.

Viti 2015 u karakterizua si viti i vazhdimësisë dhe konsolidimit të reformës institucionale në funksion të përmbushjes së objektivit kushtetues dhe ligjor të sigurimit të llogaridhënies publik, çka u reflektua dhe në analizat vjetore që u organizuan nga Departamentet e Auditimit në dhjetor të vitit të kaluar. Treguesit në rritje të veprimtarisë audituese e vendosin KLSH-në në llogoren e parë të luftës pa kompromis, për zbulimin e korrupsionit dhe mashtrimit, së cilës duhet ti bashkohen dhe institucionet e tjera shtetërore.

*Audituese në KLSH

SHKARKO APP