Auron Tare: Ministria publikon fotot e shpellës në Kinë si të projektit për shpellën e Spilesë në Himarë
Projekti për shpellën e Spilesë në Himarë është temë debati mes studiuesit Auron Tare dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Pas denoncimit të parë të Auron Tares se në hyrje të kësaj shpelle po ndërtohet një lavazh, pretendim që u hodh poshtë nga Ministria, studiuesi ka akuzon se po tallen me taksapaguesit shqiptarë. Fotot e projektit të publikuara nga Ministria, Auron Tare thotë se janë plagjiaturë dhe i përkasin projektit të shpellës Huashan në provincën Tunxi të Kinës. E njëjta foto e projektit të shpellës në Kinë është publikuar edhe nga Ministria e Kulturës për shpellën e Spilesë në Himarë. Këto pretendime të Auron Tares janë verifikuar edhe nga Shqiptarja.com përmes një kërkimi të thjeshtë në internet.
Reagimi i plotë nga Auron Tare
Shokë të MEKI-t, të jemi pak më seriozë dhe mos u tallni me taksapaguesit tuaj. Reagimi i MEKI-t për një shkrim modest timin mbi gjendjen faktike të Shpellës së Spilës më bëri të mendoj se ky institucion e kishte seriozisht ndërhyrjen dhe shpëtimin e këtij monumenti të kategorisë së parë nga braktisja dhe lavazhot përqark. Për këtë arsye e pashë me vëmendje si tekstin, ashtu edhe 3 imazhet që shoqëronin tekstin. Duke e ditur se në Shqipëri nuk ekzistojnë specialistët e mirfilltë të interpretimit të mitologjisë antike në imazhe moderne te inteligjences Artificiale , isha shumë i surprizuar të shikoj fotot nga “projekti” i supozuar i MEKI-t.
Kam pasur fatin që, 10 vite më parë, në Singapor, si pjesë e një delegacioni të UNESCO-s, te shikoja ndoshta projektin e parë me IA të ri – interpretimin e mitologjisë antike kineze, të zbuluara në një shpelle unike diku në shkretëtirat e Kinës. Ishte një projekt shumë ambicioz, ku Universiteti i Sydney-t, Pekinit dhe Opera Shtetërore e Pekinit kishin rikrijuar të gjitha imazhet e shpellen në Inteligjencë Artificiale dhe i përdornin për turizëm edukativ dhe kulturor. Prandaj, lajmi se MEKI kishte një projekt për Shpellën më intrigoi.
Por kurioziteti u kthye në zhgënjim dhe pastaj në qeshje pa fund. Imazhi i parë i MEKI-t duket se nje person me shume gjasa një kinez i cili me një projektor në dorë krijon dritehije në shpellën e ndriçuar pas tij. Në botën e teknologjisë së sotme nje femije i duhen vetëm 5 minuta dhe informacion bazik për të kuptuar se ku dhe si janë gjeneruar këto imazhe. Në fakt, mua më deshen pak me shume se 10 minuta për të kuptuar se imazhet e projektit të MEKI-t vijnë nga një Shpellë Kineze, në provincën e Huashan.
Pyetja ime për shokët e MEKI-t që talleni me qytetarët është: A ka lidhje një projekt kinez me Shpellën e Spillesë në Himarë? A ka lidhje interpretimi i legjendës së Polifemit në Spilë me Budën e Huashanit? Besoj se të paktën qytetarët në Himarë do të qeshin sot në mbrëmje kur të ulen për të pirë kafenë buzë detit dhe të lexojnë se Ministria jonë që mbulon kulturën përdor imazhet e shpellave në Kinë për Shpellën e Spillesë, një shpellë që mitet lokale e lidhin me hapësirën Homerik?
Suggjerim për drejtuesin e MEKI-t: Mblidh një grup të vogël specialistësh të arkeologjisë dhe historisë. Krijo një ide të qartë se çfarë konteksti historik mund të përdoret në Shpellën e Spillesë, bazuar në zbulimet arkeologjike. Ky projekt kërkon specialistë të mirëfilltë që kanë zbatuar projekte të interpretimit historik në shpella, jo elektrikistë që punojnë me tendera. Shiko modelet franceze, të cilat janë për t’u admiruar, për shembull. Nëse nuk ke kapacitet për të gjitha këto, kërko ndihmën e UNESCO-s, e cila ka në listat e saj një numër ekspertësh të kalibrit botëror që do ta kishin ëndërr të merreshin me një projekt homerik. Faleminderit.
KOHA JONË SONDAZH

