Avokatët e depresionit ekonomik

Nga J. Bradford De Long

Berkeley – Në ditët e para të krizës ekonomike që po vazhdon, kam pasur një diskurs në shkrimet e mija që nganjëherë duartrokitej, zakonisht shkaktonte të qeshura, dhe gjithmonë i jepte njerzërve një arsye për të qenë optimistë.

Duke pasur parasysh përvojën e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar, unë shpresoja se politikëbërësit nuk do të bënin të njëjtat gabime, si paraardhësit e tyre gjatë Depresionit të Madh. Pra se këtë herë, ne do të kryenim gabime të reja, të ndryshme, pse jo edhe më të vogla.

Fatkeqësisht, parashikimi im doli të jetë i gabuar. Jo vetëm që politikë-bërësit në eurozonë këmbëngulën në përsëritjen e gabimeve të viteve ’30; ata janë të gatshëm për t’i përsëritur ato në një mënyrë më brutale dhe në një shkallë më të gjerë.

Kur kriza e borxhit grek shpërtheu në vitin 2010, mua m’u duk se leksionet e historisë ishin aq të qarta, saqë rruga drejt një zgjidhje ishte aty para. Logjika ishte e qartë. Sikur Greqia të mos ishte anëtare e eurozonës, alternativa e saj më e mirë do të ishte falimentimi, ristrukturimi i borxhit dhe zhvlerësimi i monedhës së saj.

Por, për shkak se Bashkimi Evropian nuk do që Greqia të dalë nga eurozona (gjë që do të kishte qenë një humbje e madhe për Evropën si projekt politik), Greqisë do të duhej t’i ofrohej ndihma e mjaftueshme, mbështetja, falja e borxhit, dhe ndihma për pagesat, për të kompensuar ndonjë përparësi, që ajo mund të fitonte përmes daljes bashkimin monetar.

Në vend të kësaj, kreditorët e Greqisë zgjodhën të forcojnë masat shtërnguese. Për pasojë, Athina ka më shumë gjasa të jetë më keq sot, sesa do të kishte qenë po të ishte larguar nga eurozona në vitin 2010.

Islanda, e cila u godit nga kriza financiare në vitin 2008, ofron kundërprova. Ndërsa Greqia mbetet e zhytur në depresion, Islanda – e cila nuk është në eurozonë – në thelb e ka rimarrë veten. Sigurisht, siç e ka vënë në dukje edhe ekonomisti amerikan Barry Eichengreen në vitin 2007, konsideratat teknike e bëjnë daljen nga eurozona të vështirë, të shtrenjtë dhe të rrezikshme. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Duke përdorur Islandën si etalon, kostoja e mosdaljes së Greqisë nga eurozona, është e barabartë me 75 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Unë e kam të vështirë të besoj, se nëse Greqia do të kishte braktisur euron në vitin 2010, pasojat ekonomike do të ishin edhe një çerek më shumë sesa kaq.

Për më tepër, duket po aq e pamundur që ndikimi i menjëhershëm i daljes nga eurozona sot, të jetë më i madh se kostot afatgjata të qëndrimit në union, duke pasur parasysh këmbënguljen e kreditorëve të Greqisë për masat shtrënguese.

Insistimi, që pasqyron sjelljen e politikëbërësve në BE – veçanërisht në Gjermani – tek një kuadër konceptual, që i ka çuar ata në mënyrë të vazhdueshme, të nënvlerësojnë seriozitetin e situatës dhe rekomandojnë politika që i kanë përkeqësuar gjërat.

Nga maji i vitit 2010, PBB e Greqisë ra me 4 përqind nga viti në vit. BE-ja dhe Banka Qendrore Evropiane, parashikuan se programi i parë shpëtimit do të reduktonte PBB greke me një tjetër minus 3 përqind, nën nivelet e vitit 2010, para se ekonomia të fillonte të rimëkëmbej në vitin 2012.

Megjithatë nga marsi i vitit 2012, realiteti ishte krejtësisht tjetër. Me PBB-në që ishte 12 përqind nën nivelet e vitit 2010, një program i dytë shpëtimi kishte filluar të zbatohej. Deri në fund të atij viti, Prodhimi i Bendshëm Bruto kishte rënë gjihësej 17 përqind, krahasuar me vitin 2010.

PBB e Greqisë aktualisht është 25 përqind nën nivelin e tij të vitit 2009. Dhe ndërsa disa parashikojnë një rimëkëmbje në vitin 2016, unë nuk shoh sesi çdo analizë e flukseve të kërkesës, mund ta justifikojë këtë parashikim.

Arsyeja kryesore pse parashikimet ishin të gabuara, është se ato u kryen duke nënvlerësuar ndikimin kronik të shpenzimeve qeveritare në ekonomi – veçanërisht kur normat e interesit janë afër zeros. Dhe dështimi i qartë i masave shtrënguese, për të rimëkëmbur ekonominë greke ose pjesën tjetër të eurozonës, nuk i ka nxitur ende politikëbërësit të rishohin qëndrimin e tyre.

Në vend të kësaj, ata duket se po i dyfishojnë përpjekjet e tyre, bazuar tek teoria se sa më e thellë kriza, aq më të suksesshme do të jenë shtytjet për reformat strukturore.

Logjika ta thotë se reforma të tilla, janë të nevojshme për të nxitur rritjen afatgjatë, dhe nëse ajo nuk do të rezultojë e shpejtë, kjo është për shkak se nevoja për to ishte edhe më e madhe, sesa mendohej fillimisht.

Kjo është fatkeqësisht edhe historia e viteve ’30. Sikurse e vuri në dukje komentatori amerikan Mejtu Iglesias, partitë më të mëdha evropiane të qendrës së majtë në atë kohë e kuptuan se ajo që po bënin nuk po funksiononte, e megjithatë nuk arritën të ofrojnë një alternativë. “U takoi partive, me axhenda të përgjithshme më pak të denja – si për shembull Hitleri- që të ndërhyjnë dhe të thonë se nëse rregullat e lojës shkaktojnë papunësi masive, atëherë ato duhej të ndryshojnë”.

Sot, shton Iglesias, politikanët evropianë të qendrës së majtë, në mënyrë të ngjashme “nuk kanë asnjë strategji për ndryshimin e rregullave, dhe nuk kanë guxim të heqin dorë nga rregullorja aktuale”. Për rrjedhojë, mbretëron kursimi, dhe disidenca ndaj kësaj situatë i është lënë në dorë populistëve si Marin Le Pen në Francë apo Bepe Grilo në Itali – propozimet ekonomike të të cilëve duket se kanë akoma më pak gjasa për të qenë të efektshme.

Dikush do të mendonte se ne ishim të aftë për të mësuar nga e kaluara, dhe se Depresioni i Madh ishte aq i rëndësishëm për historinë evropiane, saqë edhe politikëbërësit e saj nuk do të kishin përsëritur të njëjtat gabimet. E megjithatë, në këtë moment, kjo është pikërisht ajo që po ndodh.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Depression’s Advocates

Bota.al

SHKARKO APP