Azem Hajdari, 98’ – Këtu jam, më arrestoni!
Në shkurt të vitit 1998, Azem Hajdari, ish-deputeti kontravers i Kuvendit të Shqipërisë, bëhet protagonist në një ngjarje që do t’i kushtonte heqjen e imunitetit dhe procedimin penal nën akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Një histori e cila do të mbyllej me pafajësinë e deputetit në të njëjtin vit kur ai humb dhe jetën, në një atentat në krah të selisë së PD-së. Hajdari kishte qenë në Shkodër për të ndjekur ndeshjen e futbollit të ekipit të Vllaznisë, president i të cilës ishte, kur është konfliktuar fillimisht me ish-drejtorin e policisë së qytetit dhe më pas, në rrugën e kthimit në Tiranë, edhe me një punonjësit e policisë në postoblloqet e ngritur për ta ndalur atë
Nga Lorenc Vangjeli
… Eshtë një histori ende e errët, por që tregon dhe njëherë Shqipërinë e asaj kohe, të sapo dalë nga kriza e tmerrshme e 97-ës, kur armët kishin përfunduar në duart e popullatës dhe në rrugë ligjin e bënin ende bandat e armatosura. E majta kishte më pak se një vit që kishte ardhur në pushtet, por qeverisja e saj shtrihej vetëm në qendrat e rëndësishme urbane, ndërsa periferia e vendit, përgjithësisht ishte jashtë kontrollit. Ka një numër personazhesh politikë dhe jo të tillë që përmenden në fjalën e gjatë të Hajdarit që Revista Java e boton me shkurtime, të cilët ishin mjaft të rëndësishëm në atë periudhë dhe që sot, ose nuk kujtohen më, ose kanë ndryshuar mendim e bindje.
Azem Hajdari – Për të sqaruar deputetët dhe për të mos e vazhduar më tej mbrojtjen, megjithëse do të vazhdoj taktikën e respektimit të procedurave parlamentare, do t’ju kërkoja vendosjen e një monitori për t’ju shpjeguar rrethanat në të cilat jam ndodhur, me djalin tim dhe me ish-Ministrin e Pajtimit Kombëtar, zotin Kazazi, si dhe me personat që më shoqëronin, material i filmuar në vendngjarje. Do t’u lutesha edhe organeve të policisë që e kanë filmuar atë natë ta vendosin në dispozicion të Parlamentit një gjë të tillë.
Gjithashtu do të kërkoja nga Prokurori i Pëgjithshëm të vendoste në dispozicion të komisionit, eksperimentin hetimor, eksperimentin balistik dhe eksperimentin daptilografik që provon se një ndër personat që ka qenë me mua ka një armë të vetën gjatë gjithë këtij procesi. Do të kërkoja t’i bëja një pyetje edhe Ministrit të Brendshëm se sa armë janë gjetur në kanal në vendngjarje? Cilat janë numrat e armëve që keni gjetur në vendngjarje të nesërmen në orën gjashtë dhe kujt i përkasin ato si pronësi përpara rebelimit? Unë ia kërkoj këtë Parlamentit, ma dha parlamenti këtë mundësi unë ia jap. Pse nuk shkova në komision zoti Kryetar, sepse filloi një tërësi sulmesh edhe për një rast tjetër. U tha se u gjet një çifte me dylbi në makinën e Azem Hajdarit, në Fushë-Krujë, përpara një muaji dhe zoti Majko, siç duket, i painformuar nga organet, sepse nuk kishte arsye ta bënte atë, bëri një deklaratë dhe rezultoi, në një konferencë shtypi, se kjo ishte me leje e dhënë nga komisariati nr.1, brenda kushteve të lejimit të lejes. Aty përmendet fakti i një armëmbajtje pa leje kur dihet që neni 6 i ligjit “Mbi armët” ia lejon këtë deputetit dhe shoferit të tij, prandaj kur nuk ka konsulta të rregullta juridike dhe kur njerëzit nisen nga pasione joprofesionale, ndodhin këto. Për më tepër kur ministri Ceka vjen këtu dhe thotë se u vodh Banka e Tropojës dhe me Azemin ndodhej edhe një njeri që kishte marrë pjesë në vjedhjen e kësaj banke. …Erdha për të dhënë shpjegime në këtë seancë, pasi jam konsultuar me të gjitha materialet që pretendon akuza ndaj meje dhe pasi më është dashur t’i nënshtrohem një terrori psikologjik nga shfrytëzimi i mjeteve shtetërore të medias, nga Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm, drejtori i policisë së Lezhës, drejtori i policisë së Shkodrës, shefi i komisariatit të Laçit dhe prokurori i Lezhës.
Duke i parë dhe analizuar me kujdes nga pikëpamja juridike dhe e teknikave të saj deklaratat e pesë drejtuesve të mësipërm më rezultojnë kontradiksione nga më të thellat. Megjithatë i shmangim këto deklarata të drejtuesve të kësaj hioerarkie, për faktin se ato më shërbejnë mua për t’u radhitur në deklarimin dhe depozitimin që sot përpara këtij Parlamenti të një padie e cila ka të bëjë me ekzekutimin fizik timin dhe të djalit tim.
U nisa për në Shkodër me makinën time… Gjatë gjithë rrugës për në qytetin e Shkodrës jemi nderuar nga policia, jemi ndaluar në 2 qytete, kemi pirë nga një kafe dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Në të hyrë të qytetit të Shkodrës jam ndaluar në lagjen “Banjë e vogël”, ku kemi ngrënë një drekë. Në orën 2 pa 2 minuta kam hyrë në Stadiumin e Shkodrës, për të cilin duhet të falenderoj sportdashësit e Shkodrës të cilët kanë çmuar kontributin tim jo si politikan, por kontributin tim si qytetar, si sportdashës, që kam ndihmuar ekipin e “Vllaznisë”, në të gjitha rrethanat, për të arritur në këto rezultate. Në stadium kam gjetur të ulur prefektin e Shkodrës, kryetarin e Bashkisë, të gjithë deputetët e Shkodrës dhe një tribunë të mbushur plot, gjë e cila disponohet, nga videoja e filmimit të asaj dite. Në mes të Prefektit dhe kryetarit të Bashkisë paska qenë i ulur Mithat Havari. Jo Zef Gjoni thjesht, por presidenti i Federatës së Mundjes ka kërkuar t’i bëhet vend presidentit të futbollit të Shkodrës, të klubit “Vllaznia” të Shkodrës, Azem Hajdarit, dhe presidentit të klubit “Partizani” i cili ishte presidenti i klubit mik. Pra duhej edhe ai të ulej në stadium për të parë ndeshjen e vet, për të treguar edhe mikpritjen dhe unë kërkova që të jetë afër. Zoti Havari nuk preferoi të ulet dhe jo Mergut Lusha, siç pretendon ai, jo njerëz me syze se nuk ka njerëz me syze, jo presidenti i Federatës së Bokseve, zoti Zef Gjoni, por shoqëruesi im, djali i tezes sime, Akil Gjoni, e kapi për krahu dhe i tha: “lëshoi vendin Azem Hajdarit”. Të mos gënjejnë, të thonë të drejtën. Ai lëvizi nga vendi dhe unë u ula dhe ka filluar e ka mbaruar ndeshja e cila është 1 orë e 45 minuta, duke bërë muhabet me kryetarin e Bashkisë, me prefektin, me të gjithë ata që ishin aty dhe duke përjetuar emocionet dhe fitoren e ndeshjes.
…Kemi hipur në makinë, pa ditur fare se mund të provokohemi, pa ditur fare se mund të provokohemi dhe jemi nisur për në Tiranë. Pra nuk po shkoja as në Mal të Zi, nuk po shkoja as në Serbi, as në Itali, por po vija në Tiranë. Në të hyrë të qytetit të Lezhës, domethënë në të hyrë të Balldrenit, 6 veta me maska me një ambulancë të policisë kanë provokuar në mënyrë të vazhdueshme makinën time, persona të cilët nuk kishin shenjat e policisë. Në kushtet e një errësire kam preferuar vetëm të ndez kamerat, për të parë se si është situata, sepse nuk mund ta paragjykosh rrugën, nuk mund të pretendosh se policinë e ke në mbrojtje në çdo moment, megjithëse në bazë të ligjit të Gardës së Republikës, Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen, ka një kod në Gardën e Republikës, i garantohet kalimi i stafetës, siç e ka edhe Kryetari i Komisionit të Rendit dhe SHIK-ut. Kam zbritur nga makina vetë, nuk kam dashur të zbresin të tjerët, siç pretendon zoti prokuror. Kam komunikuar me komandantin e truprojës i cili ishte veshur ushtarak. Azem Hajdari, i thashë, po deshe dokumentin, Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes. Nderoi, “ju kemi punën tuaj, unë kam punën time,” – tha. Në moment kam filluar lëvizjen dhe kam gjetur postëbllokun tjetër. Jo atje ku pretendon zoti Ceka, se nuk u godit zoti Hajdari në Milot, sepse djathtas tij ishte një kanal dhe nuk mund të goditej nga ishte kanali, po që në ditën e parë është bërë deklarata nga ana ime se makina ime tip “Lancia” u godit në kthesë të Lezhës, ndërsa drejtori i policisë së Lezhës thotë: “u shti lart, jo në drejtim të policisë dhe jo nga policia, jo” dhe nuk mohon faktin që u qëllua nga policia.
Në të hyrë të Milotit, nuk është e vërtetë që është dhënë shenjë ndalimi me tabelë, por siç është edhe e filmuar, unë jam gati t’u paraqes vidion, rruga ka qenë e bllokuar me 2 maune, me blloqe të mëdha betoni dhe me një autoblindë të dalë në rrugë. Nuk është dhënë shenja e ndalimit, por në moment është kërkuar ndalim-qëndrim, duke i drejtuar tytat e automatikëve në drejtimin tonë.
Kam urdhëruar fikjen e projektorëve të makinave për të mos krijuar keqkuptime te personat që na kishin ndaluar, sepse në kushtet e një drite të fortë, ata mund të bënin reagime me armë. Kam zbritur dhe i kam kërkuar një titullari të flasë me mua. Për rreth 2 orë nuk ka pranuar askush të flasë me mua, vetëm “mos lëviz”, “do të qëllojmë”, “mos lëviz”, “do të qëllojmë”.
Pas 2 orë e gjysmë ka ardhur shefi i komisariatit të Laçit dhe më ka thënë: “Kemi dijeni se në eskortën tënde qarkullojnë njerëz që kanë thyer Bankën e Tropojës.” Urdhëroni, u thashë, ja ku është eskorta, të fillojë kontrolli i eskortës sime, dhe kjo është e filmuar, fjalë për fjalë. Të fillojë kontrolli i skortës sime që nga makina e fundit, që unë kam me vete, dhe deri te makina e parë, ku kam hipur unë. Edhe makina ime. “Jo, tha, unë nuk e jap me shkrim”. Po si nuk ma jep me shkrim, ti je i detyruar që të ma japësh me shkrim, sepse ti nesër, nëse nuk ma jep me shkrim, duhet të më tregosh arsyet sepse ti, një polic, i kryen këto veprime ndaj një deputeti. …Kam kërkuar shpjegime, harrova, më përpara i kisha kërkuar, në një bisedë telefonike, kryetarit të Partisë Demokratike që të kërkonte lidhje me ambasadorin Evert, për t’i shpjeguar rrethanat në të cilat ndodhej udhëtimi im në Lezhë. Nuk preferova të ndaloja në Lezhë, sepse e pashë se isha përpara një kurthi, por preferova të vazhdoja udhëtimin. …Nuk është e vërtetë që me makinën e Azem Hajdarit ka udhëtuar Izet Haxhia. Nga një anë në gazetat e Shqipërisë del Izet Haxhia kur punonte në Gardën e Republikës, që mua më kapte për dore, në kohën kur bëja protesta, nga një anë thuhej që kur ai u akuzua ishte me Azem Hajdarin dhe nga ana tjetër Izet Haxhia jep çdo ditë intervista nëpër radio të Tiranës dhe policia nuk realizon një pikë kontakti për të gjetur vendndodhjen. Pse qenka e vështirë për të gjetur një pikë kontakti për të identifikuar personin dhe burimin nga kush flet. Kjo nuk është e vështirë nga pikëpamja profesionale dhe nga pikëpamja e teknikave operative që ata që njohin i njohin.
Historia e kësaj ngjarjeje fillon me krizën e thellë që ka Ministri i Brendshëm. Për fatin e mirë ne e përjashtuam nga partia jonë se e kuptuam që po na shkatërronin me deklaratat e tyre, ju ende nuk e keni kuptuar dhe e mbani, e do t’ua bëjë edhe ju atë që ai di të bëjë. Vetëm shkatërrim.
Prokurori i Përgjithshëm del në Televizor dhe jep pseudodeklarata, kurse zoti Ceka vjen këtu dhe thotë:”Banka e thyer e Tropojës, banda e organizuar e armatosur me 30 persona dhe ata thotë, i kishin hedhur armët në kanalet përreth. Katër ditë polombarët për të kontrolluar llojin e armëve dhe nuk gjetën asnjë armë.
…Jua kam kërkuar edhe përpara disa muajsh, ndërtoni një komision parlamentar për të hetuar ngjarjet e Urës Vajgurore. Kam qenë me deputetin Genc Pollo, kam qenë me deputetin Ylli Vejsiu, kam takuar mbi 150 vetë, jo në Urën Vajgurore, por në Poshnje dhe i gjithë Rrethi i Beratit e di se nuk kam të bëj fare me këtë ngjarje. Jam gati të dorëzoj imunitetin dhe për këtë ngjarje të bëhen hetime. Jam gati ta dorëzoj edhe sot imunitetin për të bërë hetime, por t’i vijë turp atyre, që nëpërmjet pseudoakuzave, nëpërmjet pseudoprovave të kërkojnë që të disinformojnë opinionin publik.
Gënjeshtra më e madhe qëndron 3 ditë. Ministri juaj i Brendshëm është bërë njeri qesharak, policët e tij nuk mund të mbajnë dot 7 minuta komisariatin kur ai goditet, Ministri juaj i Brendshëm është bërë njeri që bën deklarata nga më të ndyrat. Ishin 15 vetë, jo po banda në anije, po banda. jo në anije, jo ashtu po kështu. Je Ministër i Brendshëm luaj këmbët. Këtu deputeti Ngjela të ka thënë se kurba e çmimeve dhe kurba e krimeve është në ngritje, se qeni nuk njeh parti, po shkon drejt kriminelit dhe mos u merr me akuza dhe pseudoakuza.
Prokurori i Përgjithshëm ndërtoi prokurorinë. Nëse e ka marrë për zot ta drejtojë këtë vend, sepse Shqipëria ka nevojë për punë, të kërkojë zyra me qira për prokuroritë nëpër rrethe, të kërkojë rritje pagash për prokurorët dhe të fillojë hetimet. Të dënojë Zan Caushin dhe bandën e tij, të dënojë banditët e vërtetë se unë jam një deputet që në Shqipëri jam votuar për 4 vjet dhe jo njëherë. Gjithashtu kam marrë 80 000 vota të marra në 4 rrethe të vendit, prandaj ky është një turp dhe unë jam gati në çfarëdo rrethane, por nëse sot rri në burg Sali Hajdari për të vetmin faj dhe të 4 fëmijët e tij rrinë rrugëve që nuk ka qenë në punë në asnjë pushtet për të vetmin faj, se qenka vëllai im, nëse arrestohet Ministri i Brendshëm Ali Kazazi për të vetmin faj se doli dhe i tha policit: cfarë keni dhe komunikoi njerëzisht me të, meqenëse sot rri në burg Fatmir Pulaj për të vetmin faj që u përjashtua nga forcat speciale dhe erdhi si shoqërues te ne, meqenëse sot rri në faj një përfaqësues i firmës franceze që është marrë me qira, atëherë zotërinj unë mund ta pyes prokurorin, ke ndonjë plan ti apo nuk ke ndonjë plan. Nëse ke plan për të ndaluar kriminelë ordinerë kap Nehat Kullën e ke në Tiranë, nëse ke në plan për të ndaluar kriminelë kap atë Altin Dardhën që vrau në Berat, nëse ke plan për të ndaluar kriminelë ordinerë kap shefin e komisariatit të Tropojës që vrau njerëz dhe mos u merr me deputetë, mos u merr me njerëzit të cilët nuk kanë pyetur për krimin dhe e kanë denoncuar këtu në Parlament. Mos u merr me deklarata boshe. …Nëse klani i Hoxhës apo ai i Kapos mendon se i erdhi koha, mbas 7 vjetësh, të godasë Azem Hajdarin, unë po i them se gabohet, gabohet dhe gabohet shumë rëndë. Azem Hajdari është shumë vështirë të nënshtrohet nga ata njerëz të cilët mendojnë që funksioni i sotëm u jep mundësi për të justifikuar fytyrat e tyre. Prandaj unë e kam thënë në deklaratën time dhe e përsëris edhe një herë: do të vazhdoj ushtrimin e sovranitetit të votës sime në tërë Shqipërinë, do të vazhdoj ushtrimin e integritetit të votës sime dhe të forcës sime politike në tërë Shqipërinë. …Këto nuk janë lojëra, këto janë meskinitete, ky është Parlament makbethian dhe çfardolloj qëndrimi të mbani është në turpin tuaj. Ora 12 ka për t’ju ndenjur. Në tërë Shqipërinë do të luftoj që ky Parlament të ndryshojë, që këtu të vijë një qeveri teknike, që në këtë vend të fillojë stabiliteti dhe integriteti i vendit. Duart e Azem Hajdarit ja ku i keni, këtu do të rri, në Shqipëri.
*JAVA