Azilkërkuesit në BE, ja vendet e Ballkanit që kryesojnë listën
Gjatë vitit të kaluar, numri i azilkërkuesve të regjistruar në Bashkimin Evropian është rritur me 191.000 persona, ose në nivelin prej +44% në krahasim me vitin pararendës, 2013. Duke arritur në total në 626.000 persona. Teksa rezulton se qytetarë nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë kërkuesit dominues të azilit në 28 vendet anëtare të BE-së. Ndërsa nga ana tjetër, thuhet se konkretisht, numri i refugjatëve nga Siria është rritur me 72.000 persona, krahasuar me 50.000 të tillë në vitin 2013 e duke arritur në pothuajse 123.000 persona në total vitin 2014. Sipas Eurostatit, një prej tre kërkuesve të azilit në Bashkimin Evropian kanë aplikuar në Gjermani. Kështu, në vitin 2014, numri më i madh i kandidatëve është regjistruar në Gjermani, gjegjësisht, vitin e kaluar ka pasur 202.700 kandidatë për azil apo 32% të numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve. Pas Gjermanisë, pason Suedia me 81.200 kërkesa apo 13% të numrit të përgjithshëm të azilkërkuesve në BE; Italia me 64.600 azilkërkues, apo 10% e numrit të përgjithshëm; Franca me 62.800 persona, apo 10% dhe Hungaria me 42.800 persona, apo 7%. Teksa ajo që duhet përmendur është se në këto pesë vende anëtare janë regjistruar trende të ndryshme vitin e kaluar. Kështu, numri i azilkërkuesve në vitin 2014 është më shumë se i dyfishuar në krahasim me vitin 2013 në Itali, +143% dhe Hungari +126% e është rritur dukshëm në Gjermani, deri +60% dhe Suedi +50%. Ndërsa është zvogëluar me nivelin prej -5% në Francë. Në krahasim me popullsinë në secilin vend-anëtar të Bashkimit Evropian, shkallë më të larta të kërkuesve të azilit janë vërejtur në Suedi, 8.4 aplikues në 1 mijë banorë; duke pasuar me Hungarinë, 4.3 kërkues në 1 mijë banorë; më tej Austria me 3.3; Malta me 3.2; Danimarka 2.6 dhe Gjermania me 2.5. Në kundërshtim me këtë, shkallë më të ulëta të kërkesave për azil janë vërejtur në Portugali, Sllovaki dhe Rumani. Kryesisht, vitin e kaluar ka pasur 1.2 aplikantë për azil në një mijë banorë në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, qytetarët e Sirisë janë azilkërkuesit më të shumtë në BE dhe sipas Eurostatit, numri i tyre ka qenë 122.800 azilkërkues apo +20% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve në Bashkimit Evropian për vitin 2014. Prej 122.800 sirianëve të cilët kanë aplikuar për azil në BE vitin e kaluar, rreth 60% janë regjistruar në dy vende-anëtare: Gjermani (41.100 sirianë) dhe Suedi (30.800 persona nga Siria).