“Baballarët e kombit”  dhe “xhaxhallarët” vendorë

FEJTON/Nga Hyskë Borobojka

Një ditë të bukur pranvera, tek po rrufisja filxhanin e kafesë në një nga lokalet e shumtë të Tiranës, një miku im i vjetër, më pyeti:

-More, zoti Hyskë Borobojka, me cilin emër e mbiemër të të thërresim? Në ato viran shkrime, që shkruan e boton në revista e gazeta, njëherë vetëquhesh Kame Kamberi, herën tjetër Kamber Gjokovica, të tretën Tare Taruku, të katërtën Jorgo Opari, Kalem Thika të pestin e me radhë. I ndryshon emrat e llagapet, si mbreti gratë!

I dhashë të drejtë mikut tim, duke i thënë se këtë marifet e bëja dhe e bëj nga halli e jo nga malli. Ky marifet më ka mbetur, që atëherë kur shkruaja e botoja apo isha gazetar në një revistë me emër. Përdorja emra të gënjeshtra, që të shpejtoja pa ndonjë cen nga të kritikuarit. Më kujtohet si tani, kur shkrova e botova fejtonin, Zogu K. doli në Bulqizë. I kritikuari erdhi me njëherë në redaksi e kërkoi Tare Tarukun, se do t’ia bënte kurrizin më të butë se barkun, për atë palo shkrim që kisha bërë kundër tij.

-Ke ngatërruar adresën, – i thanë, – Në redaksinë tonë nuk kemi asnjë gazetar me këtë emër! Prandaj shiko në ndonjë gazetë a revistë tjetër!?

Si duket përvojën time të dikurshme për ndërrimin e emrit, tani po e ndjekin deputetët e qeveritarët. Madje, edhe ata të pushtetit vendor. Kam mbetur i pataksur dhe i çuditur, kur burrin e gjatë, që kemi fatin ta kemi kryetar të qeverisë, që ditën kur lindi e deri në vitin 2002 e thërrisnin “Edvin”. Pas këtij viti e thjeshtoi, duke i fshirë pesë germa dhe e la vetëm, me dy zanore e një bashkëtingëllore në mes. Si duket këtë “motivacion” e bëri, pasi ky emri i ri, është kumbues, për të thirrur nga simpatizantët e tij në mitingje e mbledhje: “Edi, Edi, Edi!” Ose (nuk e vë dorën në zjarr) për të fshirë e harruar të larat e të palarat para vitit 2002.

Shembullin e kryeministrit tonë të nderuar e të respektuar e kanë praktikuar edhe të tjerë “Baballarë të Kombit”, por vetëm me një ndryshim të vogël. Nuk i kanë fshirë emrit të vënë ditën e pagëzimit rrokje e germa, por e kanë ndërruar me themel. Dikur deputeti Armando Prenga, thirrej “Mondi”. (Ju lutem, mos e ngatërroni me emrin e kryegjyshit bektashian) Meqë Mondin e zunë me armëmbajtje pa leje, kanosje e plagosje, si mund ta mbante këtë emër, që ia fëlliqi biografinë?! Prandaj e lipsi, si sjellës tersllëku, duke dalë i pastër qelibar, me emrin poetik “Armando”, për të humbur gjurmët e të mos i mbetej njollë në biografi, që do ta pengonte të vihej në listën e partisë për t’u zgjedhur deputet. Këtë marifet e bëri edhe kolegu i tij, Vladimir Kosta. Dikur ai quhej “Dhandil”, Po si mund ta mbante këtë emër të vjetër, kur të vihej në listë nga partia e tij për t’u bërë, si të tjerë “Baba Kombi”. Kurse deputeti Helidon Fusha, mbajti emrin që i kishte vënë ndrikulla, kur e pagëzoi, por ndryshoi llagapin, nga “Fusha” në “Bushati’. Këtu të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Bushati, edhe pse ka një histori të lavdishme pashallëku, nga natyra është fushë. Keq do të ishte sikur “fushën” ta bënte “mal”. Gazetarin e dikurshëm, deputetin e sotëm, Musa Ulqinin, e thërrisnin me mbiemrin “Dobrovoda”. Por ai e bëri si burrat. E shkuli me rrënjë këtë emër sllav dhe vuri për llagap emrin e një qyteti shqiptar “Ulqini”, që, siç dihet, është shquar, jo vetëm për trimëri, por edhe për dashuri. Deputeti Shkëlqim Selami, mbajti emrin e bukur “Shkëlqim” dhe i bëri një shkurtim të vogël mbiemrit, duke i fshirë vetëm dy germat e fundit. Nga “Selamini” në “Selami”. Këtë modifikim s’e bëri nga qejfi, por nga zori. Kur kishte vajtur në Itali për “shëtitje”, e ngatërruan karabinierët e shtetit fqinj për një vepër penale. Që të mos ia kujtonin zgjedhësit, kur partia e tij ta vinte në listë për “Baba Kombi’, i dolli të keqes përpara, duke ndërruar llagapin. Ndryshimin e emrit apo mbiemrit nuk e kanë bërë vetëm deputetët, por edhe deputetet. Vite më parë shoqet dhe shokët Ledi Shamkun e thërrisnin Enkeleda Shkreli. Si duket këtë ndryshim nga Enkeleda në Ledi, jo vetëm se i shkurtoi pesë germa, por edhe për një arsye tjetër. Të mos ngatërrohej me emrin e lashtë të qytetit të Pogradecit.

Përvojën e ndërrimit të emrave e mbiemrave nga “Baballarët e Kombit” e vazhduan me sukses edhe “Xhaxhallarët e Pushtetit Vendor”. Në garën e ndërrimit të emrave e llagapeve vendin e nderit e mban kryebashkiaku i Kurbinit, pasi e ka ndërruar katër herë. Në fillim thirrej Gent Bushi, pastaj Altin Tanushi, më vonë Gentian Lila deri sa arriti te Artuar Bardhi e u bë kryebashkiak i tërë “kazasë” të Kurbinit. Mbase do të pyesni pse kryebashkiaku i Kurbinit e ndërron emrin dhe llagapin sa herë ndërron moti. Kësaj pyetje mund t’i japë përgjigje të saktë partia që e vuri në listë dhe qytetarët e Kurbinit që e votuan. “Xhaxhaj” tjetër, Kryebashiaku i Kavajës mbante dy emra, si pas vendit dhe kuvendi. Kur kapej në vitin 2000 nga forcat e rendit me armëmbajtje pa leje apo burgosej në Gjermani në vitin 2002 për zullume. (Këtu, të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Në këtë vit të “prapë” vuante nga skleroza, aq sa s’mban mend fare, kur dhe si e prangosën). Edhe në vitin 2003 kur e arrestuan për goditje të tjetrit, quhej Ervin Rroshi. Ndërsa kur u vu në listë për t’u zgjedhur kryebashkiak i qytetit të tij, për të harruar të shkuarën (e shkuara e harruara) u paraqit me emrin Elvis. Ky emër i bukur i ka mbetur edhe sot e kësaj dite në krye të Bashkisë së Kavajës. Sa për Kryebashkiakun e Himarës, kishte të drejta ta ndërronte emrin nga Gjergj në Jorgo. Mbase këtë e bëri, për t’u bërë qejfin grekëve, që pretendojnë se Himara ka kombësi helene, por në shtetin grek s’ka asnjë qytetar me emrin Gjergj, prandaj vendosi ta ndërronte Gjergjin me Jorgon. Këtë të fundit e ka mbajtur me “dinjitet” dikur mbreti i Greqisë. Thonë se dhe kryebashkiaku i Krujës, që nga “Baba Kombi” është bërë “Xhaxha i Pushtetit Lokal”, kohë më parë thirrej Kastriot Cakoni, por, ç’e do, me këtë emër të madh historik paska pasur ca allishverishe duke shpërndarë lëndë narkotike e për trafik prostitucioni. Kjo mbase e detyroi ta ndërronte Kastriot Cakanin me Artur Bushin. Ndërsa Kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllani, kur vajti në Itali, luajti nga fiqiri, kur shihte makina të reja fringo, bojëra- bojëra e drita- drita, që vozitnin si miza lisi. Të tilla s’kishte parë, jo vetëm në Fier, por as Vlorë. Punoi u lodh e u robtua deri sa fitoi paratë për të psonisur një të tillë, që kur të kthej në atdhe hipur në ‘të të çuditej gjithë “nahija” e tij e të thoshin:

-Shihni Gonen me makinë të re të paparë!?

 Po ku ta dinë ai, se ajo virane ishte e “kobashitur” e dokumentet i kishte të gënjeshtra. Ja kështu e pëson njeriu i gjorë dhe i përlyet biografia kot së koti. Metoda e ndërrimit të emrave e mbiemrave, nga malli apo nga halli, është si puna e gripit që i ngjitet njëri -tjetrit. “Gripi” i “Baballarëve të Kombit” e Xhaxhallarëve të Pushtet Vendor” ka zënë e po i zë me radhë shumë qeveritarë e zyrtarë, që i kërkon me një emër e të dalin me një emër e llagap tjetër.

SHKARKO APP