Balla çudit banorët e Elbasanit: Pas 25 qershorit, vendet e punës s’janë në administratën e shtetit
Kryesuesi i listës së PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Taulant Balla zhvilloi një takim elektoral me banorët e lagjes Vullnetari në qytetin e Elbasanit.
Që në fillim të fjalës së tij, Balla i dha lajmin e mirë banorëve të pranishëm në këtë takim, se shumë shpejt do të fillojë puna për rikualifikimin total të kësaj lagjeje. “Ne erdhëm këtu për tu thënë që kjo lagje do të kthehet në një kantier punimi për shumë projekte zhvillimi, por që këto projekte të marin jetë ne na duhet që të kemi qeverinë dhe Edi Ramën. Mos e çoni votën dëm tek PD, dy mandate do mari PD në Elbasan”, -theksoi Balla.
Më tej gjatë fjalës së tij Balla u shpreh: “Prindër të lagjes Vullnetari, unë dua tju them se ka ardhur dita që të bëhemi vullnetarë për të mbështetur Edi Ramën, të mundësojmë që ne timonin e qeverisë ta kemi vetëm, pa qenë e nevojshme të mbajmë më në prehër ata të cilët pushtetin e kanë konsideruar si tepsi. Ishim sot në Prrenjas e dje në Cërrik, dy bashki të cilat ne me votën e socialistëve ua besuam drejtimin dy përfaqësuesve të partisë aleate, LSI-së. Me shumë vështirësi arritëm t’i bindim socialistët të votonin për ta, e sot në krye të dy viteve të vetmet arritje që kanë këto kryetarë bashkish është se e kanë shndërruar bashkinë e Cërrikut e të Prrenjasit në një vend ku janë punësuar vetëm familjarët e tyre. Sot me të drejtë socialistët ankohen, se pse këto bashki nuk punojnë. Krahasojini këto bashki me bashkinë e Elbasanit apo Tiranës, është një diferencë shumë e madhe”, tha Balla.
Në vijim të fjalës së tij, ai tha se ne në Elbasan kemi bërë një punë që jemi shumë krenarë, kush vjen në Elbasan nuk e njeh më qendrën e Elbasnit dhe rrugët kryesore. “Unë kam qenë në këtë lagje dy herë për të shpërndarë lejet e legalizimit. Qeveria e Saliut në 8 vjet bëri 365 leje legalizimi, ndërsa ne në 44 muaj kemi bërë 15 mijë. Luli është çun i mirë por ka vetëm një problem, çohet në orën 12, kur çohet Luli Qazimi i ka mbaruar punët e Elbasanit. Kur Luli nuk bëri dot punën që bën Erion Veliaj në Tiranë, harrojeni se mund ta bëjë Luli punën e Edi Ramës. Ka ardhur dita që të jemi shumë më të bashkuar dhe t’i lëmë mënjanë inate e vogla, këto zgjedhje kësaj radhe nuk do zgjedhin kryetarin e lagjes, por kemi detyrën të zgjedhim se cilin do të marim në punë si kryeministër. Si mund të marim ne Lulin në punë, atë se mer njeri në punë edhe Saliu është bërë pishman që e mori në punë si kryetar PD-je. Sa të mbarojnë zgjedhjet me datë 26 Saliu do ta pushojë Lulin, do e nisi për Hollandë dhe ne do jemi përsëri këtu, sepse ne nuk kemi plan B kemi vetëm planin A, do qendrojmë këtu, në lagjen Vullnetari për të bërë të gjithë punët që ka kjo lagje.
Duke folur për punësimin, të cilin e quajti si sëmundjen më të rëndë për Elbasanin, Balla tha se në krye të 4 viteve ajo do të shërohet. “Unë e di që këtu kemi shumë të rinj e të reja që shpresojnë për një mundësi punësimi, por ne nuk bëjmë si bëjnë partitë e tepsisë, të cilat vijnë këtu e premtojnë që do të marim në punë tek inspektoriati, tek AKU-ja etj, sepse aleatët vetëm tek inspektoriatet e kanë mendjen, sepse aty në mos rrjedh pikon. Kurse unë i them çdo të riu dhe të reje mos u gënjeni, ata do jenë të gjithë në opozitë, ju do jeni në qeverisje, populli i thjeshtë do jetë në qeverisje 4 vitet e ardhshme me PS-në e vendet e punës nuk janë në administratën e shtetit, por janë në ekonomi. Ne po i krijojmë kushtet ekonomisë dhe sipërmarrjes që përmes ivestimeve tona ne të kemi sa më shumë vende pune në sektorin privat, sepse vetëm nëpërmjet sektorit privat ne mund ta shërojmë sëmundjen e papunësisë që e ka mbërthyer Elbasani prej kaq shumë vitesh.
Përsa i përket pensioneve, deputeti Balla u shpreh se duhet t’i kishim rritur më shumë, por duhet të kuptojmë që ku e gjetëm ne Shqipërinë në 2013, se përgjegjësia e Edi Ramës është që shumë njerëz e konssiderojnë sikur ne kemi në qeveri që nga 92’, por jo ne kemi vetëm 44 muaj. Dhe në 44 muaj na u desh të shpëtonim skemën e pensioneve nga falimentimi ku e kish lënë Sali Berisha me Lulin e vockël në 2013.
Duke u ndalur tek rëndësia që kanë këto zgjedhje, Balla tha se këto zgjedhje janë zgjedhje, të cilat i dhanë mundësi edhe opozitës të jetë në zgjedhje, arsyeja ishte shumë e thejshtë. Tre muaj në çadër Luli e Saliu filluan t’i bëjnë dëm ekonomisë dhe duke i bërë dëm ekonomisë filluan të humben vende pune. Për ne janë shumë të rëndësishme mundësitë për punësim. Dua t’i them çdo njeriu që sot është pa punë, se siç punuam për reformën në drejtësi dhe Vettingun, ne do të punojmë për punësimin. Në shtator do të fillojë dhe Vettingu i politikanëve e duhet të keni besim që ne do ta pastrojmë politikën shqiptare nga ata politikanë që e shohin pushtetin si tepsi byreku, e turren tek tepsia për të ngrënë byrekun, e jo për t’i shërbyer popullit shqiptarë. Elbasani ka më shumë nevojë për drejtësi e kjo do të garantohet përmes kësaj reforme.
Në përfundim të fjalës së tij Balla i kërkoi banorëve që të bashkohemi të gjithë dhe me 25 Qershor dhe të shkojmë të votojmë e ti japim votën Edi Ramës dhe PS. Të jeni të sigurtë që në rast të kundër këta të paprekshmit do bëhen të gjithë bashkë për të penguar përsëri reformën në drejtësi. “Prandaj 25 Qershori duhet të vazhdojë të konsiderohet si një ditë referendum popullor për të çuar pëërpara reformën në drejtësi që të paprekshmit të mos jenë më në politikë, por të hetohen e dënohen sipas ligjeve të këtij vendi”, – përfundoi Balla.