Balla: Debati parlamentar nuk duhet të jetë arenë fyerjesh
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka theksuar rëndësinë e etikës dhe gjuhës së përdorur në jetën parlamentare, duke reaguar pas mbledhjes së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
Sekretariati shqyrtoi dhe rrëzoi kërkesën e shtatë deputetëve të opozitës për përjashtimin e Ballës nga punimet e Kuvendit, me pretendimin se ai kishte përdorur “gjuhë fyese dhe kërcënuese” gjatë seancës plenare të së enjtes së kaluar. Vendimi u mbështet në nenin 65/1 të Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon që përjashtimi mund të ndodhë vetëm pasi të jenë zbatuar më parë masa të tjera disiplinore nga kryetari i Kuvendit.
Në reagimin e tij publik, Balla solli një thënie të urtë që, sipas tij, e ka ndihmuar të kalisë durimin dhe sjelljen:
“Kush di të ruajë gjuhën, di të ruajë nderin.”
Ai theksoi se etika parlamentare është themeli i besimit publik ndaj institucioneve demokratike dhe kërkon që çdo deputet të veprojë me ndershmëri, përgjegjësi dhe respekt ndaj Kushtetutës, rregullores dhe kolegëve.
Balla nënvizoi se debati parlamentar duhet të mbetet një hapësirë e dialogut dhe argumentit, jo një arenë fyerjesh.
“Respekti për fjalën, për të vërtetën dhe për qytetarët që përfaqësojmë është thelbi i një Kuvendi dinjitoz dhe europian,” shkroi ai në rrjetet sociale.
Ai shtoi se përpjekja për të zhvilluar seanca dhe komisione ku respektohen rregullat dhe normat e sjelljes do të rrisë besimin e qytetarëve dhe do të përmirësojë imazhin e Kuvendit.
KOHA JONË SONDAZH

