Balla: Deklaratë urgjente e Kuvendit kundër kërkesës së Prokurorisë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka folur sot në Kuvend lidhur me gjyqim që po mbahet në Hagë për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesën e prokurorisë për 180 vite burg për Veselin, Thaçin, Selimin dhe Krasniqin (45 vite secilit).
Balla propozoi ndërprerjen e punimeve të parlamentit, ngarkimin e dy përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Jashtëm me përgatitjen e një deklarate urgjente të Kuvendit për t’i shprehur revoltën Hagës ndaj kësaj akuze.
“Së pari, në emër të grupit parlamentar të PS dua t’i bëj një thirrje PD të distancohet nga dhuna e përsëritur nga protestat e thirrura. Çdo parti politike ka të drejtë legjitime të protestojë, por mban përgjegjësi për mbarëvajtjen e protestave. Duket qartë që personat e përfshirë janë persona të nxitur, të dyshuar të paguar për të nxitur dhunë, PD duhet të distancohet nga këto akte dhune, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë urgjent duhet të shprehet në mbrojtje të punonjësve të policisë për paprekshëmërinë e tyre. Punonjësit e policisë së shtetit kanë derdhur gjak dhe vënë në rrezik jetën e tyre. Jemi sot në një seancë pak ditë nga një aktakuzë e turpshme. Ditën e hënë jemi njohur me një aktakuzë të turpshme në kurriz të katër ish-krerëve të UÇK. 180 vjet burg janë kërkuar ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Një aktakuzë e padëgjuar, ndërkohë që për asnjë nga personat e marrë përgjegjës penalë të ushtrisë serbe në Kosovë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Kuuvendi i Shqipërisë të ndërpresë menjëherë punimet, të ngarkojmë Hasanin dhe Shehun në Komisionin e Politikës së Jashtme, të përgatisim me urgjencë një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë që duhet të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve në Kuvend, për t’i bërë të qartë Hagës dhe çdo aktori tjetër se populli shqiptar nuk mund ta hedhë një baltë të tillë të hedhur kundër një lufte çlirimtare sikurse ka qenë ajo e popullit shqiptar të Kosovës dhe UÇK. Kjo deklaratë duhet të publikohet menjëherë!”, tha Balla ndërsa propozimi u miratua pa asnjë kundërshtim.
KOHA JONË SONDAZH

