Balla për imunitetin e Ballukut: PS do të respektojë afatin për depozitimin e raportit në Kuvend

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet e rregullores të miratuara me procedurë të përshpejtuar në shtator, thotë se Kushtetuta përcakton qartë mënyrën se si Kuvendi organizon punën e tij dhe miraton Rregulloren, duke theksuar se ajo miratohet me shumicën e kërkuar të votave.

Balla tha se vendimet e Gjykatës janë të zbatueshme dhe do të respektohen. Ai bëri të ditur se socialistët kanë depozituar ndryshimet për ristrukturimin e komisioneve, duke argumentuar se përvoja 6-mujore nga miratimi në shtator ka treguar se ndarja nga 8 në 11 komisione ka sjellë më shumë fleksibilitet, më shumë diskutime efektive në komisione për shkak të uljes së numrit të anëtarëve dhe një rol më të qartë të komisioneve të përhershme.

Sa i përket propozimit për uljen e kohës së diskutimit nga 10 në 5 minuta për çdo deputet në seancë plenare, Balla tha se kjo është mbi mesataren europiane dhe synon eficiencë më të madhe në menaxhimin e kohës. “Është një model respekti ndaj kolegëve, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të flasin. Për debate të veçanta, si buxheti apo programi i qeverisë, koha përcaktohet ndryshe, sipas rregullave përkatëse”, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në lidhje me pretendimet për rritje kontrolli mbi institucionet e pavarura, përfshirë ato të drejtësisë, Balla theksoi se nuk ka ndryshim të rolit tradicional të komisioneve përgjegjëse. Sipas tij, komisioni “Për nismën qytetare dhe monitorimin” do të shtojë një filtër vlerësimi për zbatimin e rekomandimeve, pa cenuar kompetencat ekzistuese të komisioneve të tjera.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai theksoi se një nga mangësitë e deritanishme ka qenë kontrolli postlegjislativ dhe se Kuvendi duhet të verifikojë zbatimin e ligjeve që miraton. Sa i përket raportit për kërkesën e SPAK-ut, për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, ai bëri të ditur se grupi parlamentar i PS-së do të respektojë afatin dyjavor të përcaktuar në Rregullore për hartimin dhe depozitimin e raportit në Kuvend.

“Po punohet intensivisht dhe raporti do të depozitohet brenda afatit. 83 deputetëve të PS duhet t’u bëhet një prezantim për këtë çështje, pastaj do ta kalojmë në seancë. Çdo gjë do të bëhet transparente dhe në përputhje me Rregulloren”, theksoi Balla.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?