Balla: PS e bindur se do të sigurojë 75 mandate në 25 Qershor
Drejtuesi Politik i PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit dhe grupin e kandidatëve për deputetë zhvilluan një takim elektoral në lagjen “Visarion Xhuvani”, nga ku deklaroi se Partia Socialiste do të qeverisë vendin e vetme, pa qenë e nevojshme më të hyjë në pseudoaleanca me parti të cilat për asnjë moment nuk i shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Nuk mund të mungonte që në këtë përvjetor të PS të bëheshim të gjithë bashkë. Bashkë me ne është bërë edhe ish kryetari i PS i cili, me elokuencën që e ka karakterizuar gjithmonë, e tha shumë troç, që PS do të vazhdojë të jetë në qeverisje edhe 4 vjeçarin e ardhshëm, pa qenë e nevojshme më të hyjmë në pseudoaleanca me parti të cilat për asnjë moment nuk i shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Siç punuam për Vettingun, me të njëjtën frymë që synon të pastrojë sistemin e gjyqësorit, sistemin e drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, ju garantoj se ne do pastrojmë administratën shtetërore nga të gjithë ata të cilët, partitë e byrekut i kanë futur në administratë për të ngrënë byrekun e jo për t’i shërbyer Elbasanit. Nuk duron dot më Elbasani që kur bie fjala për inspektoriate, për shërbime të rëndësishme, të jenë si copat e tepsisë ku ushqehen partitë e byrekut.
Ne bëmë siç na thatë ju, hymë në këto zgjedhje vetëm sepse jemi të bindur se ju do të na jepni besimin e madh për ta qeverisur Shqipërinë, vetëm dhe për t’i dhënë mundësi Edi Ramës që timonin e qeverisjes mos ta ndajë më me partitë e byrekut.
Partia Socialiste e Shqipërisë do t’i garantojë Elbasanit 20 mijë vende pune, 20 mijë vende të reja pune në kuadër të një programi shumë të madh, i cili synon që brenda 4 vjeçarit të ardhshëm të ketë 120 mijë vende të reja pune në të gjithë Shqipërinë. 25 Qershori duhet konsideruar si një ditë e madhe referendumi popullor për të ndëshkuar me votë të gjithë ata që janë kundër Shqipërisë dhe kundër Reformës në Drejtësi.”
Në po të njëjtën linjë qëndroi edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili u bëri thirrje politikanëve të qëndrojnë larg shpifjeve dhe fyrjeve, por të shohin ndryshimet e mëdha që janë bërë në Elbasan.
“Nuk dua të flas për ato investime që PS dhe Edi Rama i kanë dhënë Elbasanit. I tha Taulanti dhe ju i shihni çdo ditë. I jap një përgjigje me punë e jo me llafe të gjithë atyre politikanëve të cilët kërkojnë të hedhin baltë mbi qytetin dhe qytetarët elbasanas. Nuk kam folur përsa kam dëgjuar; nuk kam folur për çfarë kanë thënë për mua; nuk kam folur për çfarë kanë thënë për deputetët dhe PS, sepse kam menduar se qytetarët e mi dinë të gjykojnë punën, dinë të shohin si është punuar për Elbasanin. Ne japim përgjigje me punë, ndërsa ju duhet të jepni përgjigje më 25 Qershor duke dhënë votën për PS dhe Edi Ramën. Duke marrë atë votë, ne do ta bëjmë Elbasanin ashtu siç thonë elbasanllinjtë “bahçe me lule”. Dua t’i drejtohem edhe disa politikanëve të rinj të opozitës: Mos ecni në shembullin e të parëve tuaj! Nuk keni fituar në Elbasan duke sharë Elbasanin, qytetarinë elbasanase dhe Kryetarin e Bashkisë. Harrojeni këtë punë dhe mësohuni të punoni me qytetarët. Elbasani nuk duron shpifje, të shara, sherre dhe grindje. Mjaft më me shpifje, me fyerje, me mashtrime dhe gënjeshtra. Nuk më keni parë kurrë në TV të bëj inaugurime, të pres shirita, sepse punën e shohin qytetarët, e unë bëj vetëm detyrën. Unë nuk kam pse bëj reklamime. Ama të thuash që Elbasani është bërë si Siri, është krim i madh. Hajde shiheni qytetin, hajdeni jetoni në qytet. Nuk duan, le të kritikojnë, dhe në 25 Qershor votën prapë”- tha Sejdini.
Edhe në këtë takim, PS u shpreh e bindur se do të sigurojë 75 mandate në 25 Qershor për të qeverisur vendin e vetme dhe 2 mandate më tepër do të garantojë vetëm Elbasani.