Balla: Thirrje shqiptarëve që jetojnë në Greqi, ju presim më 25 Qershor

Kryesuesi i Iistës së PS në zgjedhjet e 25 Qershorit, Taulant Balla i shoqëruar nga ekipi i kandidatëve për deputetë të këtij qarku dhe Sekretari për Emigracionin në Partinë Socialiste, Stefan Çipa, zhvilluan një takim elektoral me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi.
Në bashkëbisedimin që zhvilluan me emigrantët e qarkut të Elbasanit që jetojnë në qytetin e Selanikut, deputeti Balla i njohu ata me reformat e qeverisë Rama si dhe sfidat e projektet për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.
Që në fillim të fjalës së tij, Balla i kërkoi ndjesë të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi për pamundësinë e krijimit të mundësisë që ata të votojnë aty ku jetojnë. “Dua t’ju kërkoj ndjesë në emër të PS, që ne nuk mundëm t’ju garantonim që në këto zgjedhje të votoni këtu ku jeni, por këto janë zgjedhjet e fundit që bëhen pa garantuar votën e shqiptarëve kudo nëpër botë. Të jeni të sigurt që prej shtatorit do ta fillojmë punën menjëherë për reformën zgjedhore, me qëllim që rregullimet në kodin zgjedhor e më pas rregullimet e të gjithë infrastrukturës, që do të bëjë të mundur shprehjen e votës së shqiptarëve kudo që ata jetojnë, të jetë i mundur dhe të kemi gjithë kohën në dispozicion që në zgjedhjet e ardhshme të garantojmë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, – pjesa më e madhe këtu në Greqi, një pjesë në Itali, Gjermani, Britani apo në SHBA, – të kenë mundësinë që edhe ata, edhe ju të jeni vendimmarrës në drejtimin në të cilin duhet të shkojë Shqipëria.”
Duke u ndalur tek rëndësia e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, Balla theksoi: “Ky takim është 2 javë para zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, ku unë e thashë që vota juaj nuk mund të shprehet këtu ku ju jetoni, por duhet që ju t’i bashkoheni vëllezërve dhe motrave, familjeve tuaja që jetojnë në Shqipëri; për të ardhur atë ditë e për të qenë dhe ju bashkë me ne në një moment shumë të rëndësishëm e historik për Shqipërinë. Nuk bëhet fjalë për një palë zgjedhje të radhës, por bëhet fjalë për një ndryshim rrënjësor të Shqipërisë në 4 vitet e ardhshme. E them që këto nuk janë si zgjedhjet e radhës, sepse e dini që secila parti kandidon më vete. Ne e dimë se në gjithë këto vite partitë e vogla e kanë konsideruar pushtetin si një tepsi byreku, dhe për këtë arsye janë turrur për të marrë vetëm pjesën e tyre, pa qenë të interesuara për cilësinë e shërbimeve që duhet të ofrojnë. Janë disa parti që ju i dini shumë mirë, që sido të dalin zgjedhjet, e shikojnë veten e tyre ende në pushtet. E për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga kjo tepsi, e cila i ka penguar shpejtësinë Shqipërisë sonë për t’u afruar më shumë me familjen e Bashkimit Europian;tepsi e cila ka penguar cilësinë e reformave, sepse për disa nga këto parti nuk është e rëndësishme cilësia e reformave dhe as programi i qeverisë, sepse ata nuk negociojnë me qeverinë, me alternativën e programin të PS. As nuk duan t’ia dinë për këtë pjesë, sepse ata e kanë merakun tek pjesa e pushtetit që do marrin për vete. Këta kanë merakun cilën drejtori do marrin. Ne i themi “hajde të diskutojmë për pensionet”, këta thonë “na duhen sigurimet shoqërore për të futur ca njerëz në punë, ç’punë kemi ne me pensionistët.” Ne ju themi “hajde të diskutojmë si të bëjmë disa shërbime më mirë”, ata thonë “ne na duhen patentat, na duhet ndërmarrja e shpërndarjes së patentave që të bëjmë disa ndere, të fusim disa njerëz në punë, që të mos na thonë gjë tjetër më shumë.” Prandaj, unë sot kam ardhur bashkë me një pjesë të skuadrës sonë fituese në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë për të kërkuar mbështetjen tuaj”, – tha Balla.
Më tej gjatë fjalës së tij, Balla tha: “Unë e di që është një sakrificë e madhe që të nisesh të premten apo të shtunën, të vish në Shqipëri, por unë do t’ju lutesha që ta ndërmerrnit këtë sakrificë, ashtu si një pjesë prej jush e bëri këtë sakrificë edhe 4 vite më parë. Sepse po të mos kishit qenë ju, nuk do të ishte ai uragan i madh, plot 1 milion vota në mbështetje të një ndryshimi, i cili i hapi rrugën Shqipërisë tonë për të bërë reforma të rëndësishme. Ne sapo kemi votuar Vettingun, i cili është çelsi i pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Po me pastrimin e sistemit të drejtësisë, do të fillojë edhe pastrimi i politikës shqiptare nga politikanë të korruptuar dhe do të hapet rruga për një përshpejtim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.”
Ne, u shpreh Balla, para të pranishmëve duam që kësaj radhe në këto zgjedhje t’i japim mundësinë Edi Ramës ta ketë vetë timonin, pa qenë nevoja që timonin ta ndajë me të tjerë apo të tjerë t’i mbajë në prehër; dhe pushtetin e socialistëve dhe gjithë shqiptarëve ta ndajmë me ata të cilët pushtetin nuk e shohin si përgjegjësi, por si copë byreku.  “Shqipëria ka sot nevojë më shumë se çdoherë tjetër për ju, sepse o ndahemi njëherë e përgjithmonë nga kjo histori e nga kjo mënyrë ndarjeje pushteti më 25 Qershor, o përsëri do të vazhdojë e njëjta havale, me të njëjtët njerëz e me të njëjtat probleme. Është e papranueshme që kur diçka bëhet mirë, turren e thonë që këtë e kemi bërë bashkë, madje mund të thonë që e kemi bërë vetë; kur diçka nuk bëhet mirë fajin e ka PS. Ne duam që të marrim përgjegjësi të plota për ta drejtuar Shqipërinë ashtu si ju e doni. Në rast se emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit do të kishin mundësi të votonin atje ku janë, unë nuk do të kisha asnjë lloj meraku, sepse e di fare mirë që  ka një mbështetje të  paimagjinueshme për Edi Ramën dhe PS kudo që janë”, – theksoi Balla.
Në përfundim të fjalës së tij, Balla i bëri thirrje të gjithëve: “Më 25 Qershor të vini dhe të shprehni votën tuaj për PS, për ata që nuk kanë mundësi. Unë do t’ju thoja, shfrytëzoni komunikimin tuaj me çdo familjar e të afërm që keni në Shqipëri, e t’u thoni që më 25 Qershor të bëhemi të gjithë sëbashku, duke i lënë mënjanë flamujt e partive politike e të votoni për Shqipërinë që duam, për Edi Ramën dhe PS.

SHKARKO APP