“Ballkani nuk do të ndjekë shembullin e Hungarisë kundër emigrantëve”

Referendumi anti-emigrantë i Hungarisë të dielën mund të ketë “dështuar” – por kundërshtimi i Budapestit ndaj kuotave të migrantëve ka ende gjasa të nxisë ksenofobinë në rajon dhe më tej.

Nga Sven Milekic, Maria Chereseva, Milivoje Pantovic, BIRN

Referendumi i të dielës në Hungari mbi kuotat e migrantëve nuk ia doli të marrë mbështetjen e nevojshme prej 50 për qind për 7 për qind të votave.

Megjithatë, më tepër se 98 për qind e atyre që morën pjesë votuan kundër pranimit të asaj norme të emigrantëve në Hungari – dhe kryeministri Viktor Orban që e inicioi votimin – ka lajmëruar se do ta ndryshojë kushtetutën në mënyrë që referendumi të bëhet i vlefshëm.

Ai gjithashtu shtoi se referendumi hungarez do të nxisë lëvizje të ngjashme në vende të tjera. “Jemi krenar që jemi të parët,” tha Orban të dielën.

Megjithatë, vendet e Ballkanit të cilat janë anëtarësuar në BE, nuk ka gjasa të ndjekin të njëjtën rrugë, thanë ekspertët.

Viktor Koska, zv. drejtor i Qendrës së Zagrebit për Studim të Etnicitetit, Shtetësisë dhe Migracionit, CEDIM, i tha BIRN se parashikimet e një efekti të ngjashëm të referendumit hungarez në rajon “nuk mund të jepen në mënyrë të qartë”.

Por ai paralajmëroi për një efekt të mundshëm në kuptimin e rritjes së nacionalizmit dhe retorikës anti-migrante. Retorika radikale e përdorur në Hungari, bazuar “mbi mitin e mbrojtjes së qytetërimit të krishterë perëndimor nga pushtuesit islamik”, po forcon të djathtën ekstreme në rajon dhe në të gjithë Europën, tha ai.

“Sa më shumë të zgjasë kjo politikë, aq më e madhe do të jetë platforma për skajin e djathtë në vende të tjera dhe ky është një rrezik i mundshëm,” tha ai.

Referendumi hungarez i ka dhënë forcë të djathtës në shtete të tjera të kundërshtojnë politikat e BE-së për migrantët, ndërsa BE-së gjithashtu i mungojnë “mekanizmat për të siguruar zbatimin e politikave të saj”, shtoi ai.

Sistemi i BE-së për kuotat e azilkërkuesve u miratua në shtator 2015 dhe synonte të rilokalizonte rreth 160,000 azilkërkues jo-europianë nga Italia dhe Greqia në vende të tjera të BE-së shtator 2017.

Sipas këtyre kuotave, Hungaria duhet të merrte rreth 1200 azilkërkues, Kroacia 1617, Bullgaria 1271 dhe Rumania 4260.

Ndryshe nga Hungaria, ku mbështetësit e kryeministrit Orban mbajnë thuajse dy të tretën e vendeve në parlament, Kroacia ende po mban diskutime për formimin e një koalicioni të ri qeveritar.

Andrej Plenkoviç, kreu i partisë së qendrës së djathtë, të Bashkimi Demokratik Kroat, me gjasa do të jetë kryeministri i ri, por ai ka një karrierë të gjatë si eurodeputet dhe pritet të mbështesë politikat e BE-së.

Dy  vende të tjera të Ballkanit në BE, Bullgaria dhe Rumania kanë mbajtur pikëpamje të ndryshme nga Hungaria mbi kuotat e azilkërkuesve.

Bullgaria, pavarësisht se nuk i ka përmbushur kuotat e BE-së, ka pak gjasa të mbajë referendum për sistemin e refugjatëve.

Rumania, bashkë me Sllovakinë, Hungarinë dhe Republikën Çeke kundërshtuan sistemin e kuotave kur ideja u lançua në 2015.

Megjithatë presidenti Klaus Iohannis në shtator 2015 tha se Rumania duhet t’i pranojë refugjatët që i takojnë.

SHKARKO APP