Banesat sociale, skema e re nis nga muaji tetor

Bonuset e strehimit dhe aplikimet për kredi, nga muaji tetor do të ndryshojnë, teksa dokumenti i Ministrisë së Zhvillimit Urban do të kalojë për herë të fundit  në duart e grupeve të interesit para se të shkojë për miratim në parlament.

Ky projektligj, i cili referon shtimin e numrit të familjeve dhe individëve të pastrehë që do të ndihmohen nga shteti, e që do t’i rendisë përfituesit sipas një sistemi pikësh, tashmë është plotësuar edhe me dokumentacionin e aplikimit.

Hartuesit e projektit thonë se ligji favorizon të gjitha shtresat, si dhe u jep mundësi bashkive të operojnë në kushtet aktuale përmes dyfishimit të programeve të strehimit.

Gjithashtu, ligji do t’u japë mundësi subjekteve private të hyjnë në marrëdhënie me bashkinë, për të dhënë me qira banesat e tyre. Po ashtu, ato marrin të drejtën e krijimit të fondeve sociale, rikonstruksionit të objekteve të dala jashtë funksionit të tyre fillestar dhe kthimin në fond banesash si dhe sigurimit të një strehimi të përshtatshëm për komunitetet në nevojë.

Sa i përket progameve të përfitmit, me sistemin e ri të subvencionimit të banesave, mundësia për t’u strehuar do të përfshijnë 5 lloje programesh, nga të cilët bëhet e ditur se familjet nuk mund të përfitojnë më shumë se një të tillë.

Në 5 llojet e programeve që rendit projektligji në nenin 9 të tij, bëhet fjalë për  programin e banesave sociale me qira, për  programin për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese ose të përmirësimit të kushteve, deri në një ndërtim të ri, për  programin e banesave me kosto të ulët, për  programin për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, për  programin për krijimin e strehave të përkohshme dhe programin për ndërtimin e banesave të specializuara.

Lidhur me kategoritë, sipas projektligjit, do të përfitojnë strehim individët mbi moshën 18-­vjeçare dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile, të cilët në momentin e aplikimit plotësojnë kushtet e përcaktuara. Bëhet fjalë për ato familje, të cilat nuk kanë në pronësi një banesë ose zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, ose banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi. Ndërkohë që përgjedhja do të behët sipas një sistemi pikëzimi, sipas kushteve të mësipërme, bazuar edhe në numrin e anëtarëve të familjes e të ardhurave që marrin.

SHKARKO APP