Banesat sociale, ulet fondi nga Buxheti i Shtetit
Buxheti i parashikuar për vitin 2018 për strehimin social nuk arrin të plotësojë nevojat për banesa sociale në 61 bashkitë e vendit.
Në projektbuxhetin 2018, Ministria e Financave ka parashikuar 550 milionë lekë për strehimin social, shifër kjo më e ulët se buxheti për vitin 2017, që ishte 560 milionë lekë.
Por, krahasuar me vitin 2017, numri i familjeve në nevojë që parashikohet të marrin ndihmë për strehim në vitin 2018 rritet me të paktën 34 familje.
I njëjti parashikim, pra rritje të familjeve që futen në skemën e përfitimeve, është dhe për vitet 2019-2020, sipas Strategjisë Afatmesme për Strehim të miratuar nga qeveria në vitin 2017.
Por megjithatë, Qeveria Rama parashikon të vërë në dispozicion të strehimit social të njëjtën shumë prej 550 milionë lekësh dhe në vitet 2019, 2020, shkruan exit.al.
Ekspertët e punëve sociale, në një rekomandim për komisionin parlamentar, shprehen se kjo shumë “është mjaft e ulët për të patur impakt në grupet në nevojë për strehim.”
Me këtë nivel financimi objektivi i strategjisë për strehim social do të mund të arrihet rreth 11 vjet më vonë se mandati i strategjisë.
Përveç fondeve të pamjaftueshme, një tjetër shqetësim për zbatimin e planit për strehim social është dhe shkrirja e Ministrisë së Mirëqenies, Punës dhe Çështjeve Sociale. Më parë buxheti për strehim social dhe strategjia menaxhohej dhe kontrollohej nga kjo ministri. Tani, me shkrirjen e saj dhe shpërndarjen e funksioneve në tre ministri të ndryshme, është e paqartë se si do të bëhet zbatimi i strategjisë dhe menaxhimi i fondeve.
Ekspertët sqarojnë në studimin e tyre:
“Fondi është vendosur nën Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa planifikimi urban i ka kaluar për kompentencë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo situatë nuk tregon qartë se cila strukturë do të menaxhojë fondet dhe zbatojë produktet e parashikuara në programin e strehimit. Gjithashtu mbetet e paqartë se kush do të hartojë politkat e strehimit, legjislacionin (ligji i ri dhe aktet nen-ligjore) dhese kush do të realizojë monitorimin gjendjes së strehimit në shkallë vendi.”
Ekspertët i rekomandojnë Qeverisë Rama:
-të rrisë me të paktën 2,6 herë buxhetin për strehimin social për familjet në nevojë;
-të rrisë kategoritë dhe grupet e përfshira në skemë, pasi në strategjinë aktuale numri i familjeve të përfshira është shumë më i ulët se numri i kërkesave të dala nga studimet e bëra nga Programi I Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP);
-të qartësojë kompetencat dhe detyrat e secilës prej ministrive që do të zbatojnë këtë skemë buxhetore;
-të rrisë mbështetjen ndaj pushtetit lokal (me subvencionime apo rritje fondesh) për ndihmën që i japin kategorive: familje me të ardhura të ulëta, familje me bonus strehimi dhe familje të strehuara na godinat e Njësive Qendrore Vendore;
-të rrisë fondet për ndërtimin e banesave me kosto të ulët dhe strehave për përdorim në raste të fatkeqësive natyrore ose për ato familje që dëbohen nga banesat e tyre si pasojë e investimeve publike;
-ndyshim të projektligjit “Për strehimin social” bazuar në ndryshimet institucionale që kanë ndodhur në muajt e fundit.