Banka Botërore miraton 2 projekte për Shqipërinë, me vlerë 265.7 milionë euro

Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore ka miratuar mbrëmjen e së premtes dy projekte për Shqipërinë, me vlerë totale 265.7 milionë euro. Projekti i parë prej 200 milionë eurosh mbështet forcimin e menaxhimit të financave publike, ndërsa projekti i dytë, prej 65.7 milionë eurosh mbështet përmirësimin e mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore. Përfaqësia e BB-së në Shqipëri, duke iu referuar vendimit të marrë nga Bordi në Uashington, bëri të ditur se “projekti i parë mbështet forcimin e menaxhimit të financave publike për të trajtuar çështje të detyrimeve financiare dhe taksave, reformave në fushën e pensioneve dhe energjisë me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale”.  Gjithashtu, ky projekt mbështet “shlyerjen e detyrimeve dhe parandalimin e detyrimeve në të ardhmen, forcimin e proceseve të përgatitjes dhe ekzekutimit të buxhetit, rritjen e të ardhurave, reformimin e sistemit të pensioneve dhe pakësimin e rreziqeve fiskale që rrjedhin nga sektori energjetik”.
Miratimi i këtij projekti, sipas BB-së, ndjek ndërmarrjen e një sërë veprimeve paraprake në këta sektorë, përfshirë menaxhimin e financave publike, reformat në pensione dhe sektorin energjetik.
Sipas saj, garancia do të reduktojë kostot për huamarrje të Shqipërisë, do të lehtësojë nevojat për fonde të qeverisë dhe rreziqet, si dhe do të çlirojë burime të bankave komerciale për kreditimin e sektorit privat. Ndërsa projekti për mirëmbajtjen dhe sigurinë Rrugore synon të ruajë e mirëmbajë kushtet, si dhe të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor, të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm dhe eficient të vlerave të rrugëve dhe kushteve të sigurisë në përfitim të përdoruesve të tyre.

“Mirëmbajtja e rrjetit të rrugëve kombëtare ka qenë vazhdimisht e keqfinancuar, duke dëmtuar kështu qëndrueshmërinë e sektorit të transportit. Siguria në rrugë mbetet një problem madhor social dhe për shëndetin publik në Shqipëri me një numër mjaft të lartë viktimash për vit krahasuar me vendet e rajonit”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.
BB vlerëson se projekti do të ndihmojë qeverinë në kryerjen e reformave për menaxhimin e investimeve publike, në mënyrë që investimet të jenë të mbështetura nga pikëpamja fiskale dhe në përputhje me planin e buxhetit afatmesëm. Rezultatet e projektit do të maten përmes objektivave të paracaktuar, sipas performancës periodike dhe rutinë të mirëmbajtjes, përmirësimit të sigurisë rrugore, vlerësimit me yje të rrjetit rrugor kombëtar dhe përgatitjes së planeve shumëvjeçare të mirëmbajtjes si pjesë e sistemit të menaxhimit të aseteve rrugore.
Kostoja totale e projektit është 128.47 milionë euro, me një bashkëfinancim prej 62.57 milionë eurosh nga Qeveria e Shqipërisë.
Që kur Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në 1991, vendi ka përfituar 86 projekte me një vlerë totale prej 2.4 miliardë dollarësh amerikanë, në formën e granteve dhe kredive të IDA-s, si dhe huave të IBRD-së. 

SHKARKO APP