Bankat shtrëngojnë kushtet për kredi
Në tremujorin e parë të vitit 2015, bankat kanë ndërmarrë një shtrëngim të standardeve për kreditë dhënë individëve, konstaton Banka e Shqipërisë në vrojtimin tremujor të aktivitetit kreditues. Sipas raportit, standardet e kredisë u shtrënguan si për kreditë me qëllim blerje banese, ashtu dhe për kreditë me qëllim financimin e konsumit.
Balancat përkatëse shënuan vlerat -3.2% dhe -1.4%. Ekspertët e bankave presin lehtësim të standardeve të kreditimit për individët përgjatë tremujorit të dytë të vitit 2015, si për kredinë e dhënë për blerje banese, ashtu dhe për financim të konsumit.
Kërkesa e individëve për kredi vlerësohet pozitive, por në ngadalësim krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2014. Sipas qëllimit të përdorimit, bankat raportojnë kërkesë në rritje për kredinë me qëllim financimin e blerjes së banesës.
Ekspertet e bankave kanë vlerësuar në rënie kërkesën për financimin e konsumit. Balanca përkatëse rezultoi -9.4 % nga 7.2% që ishte në tremujorin e mëparshëm.