Bankat “transferuan” jashtë 204 mln euro në 2015-n
Pothuajse të gjitha paratë e lira të depozituesve, bankat kanë zgjedhur t’i vendosin në institucione financiare jashtë vendit, ndërsa huaja neto për ekonominë u reduktua me 65 milionë euro. Në këtë mënyrë sistemi nuk ka kryer rolin e tij kryesor atë të ndërmjetësimit të parasë në ekonomi (kalimin e fondeve nga kursimtarët tek ata që duan të investojnë)…
Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.32 trilionë lekë në fund të 2015-s, duke shënuar një rritje me 1.9%, apo me 24 miliardë lekë, në krahasim me dhjetorin 2014, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Tek zëri i aktiveve, bankat raportojnë mënyrën si përdorin fondet që marrin nga depozituesit, të cilat investohen kryesisht në katër drejtime, marrëdhënie me bankën qendrore, hua për ekonominë, blerje të letrave me vlerë të qeverisë, ose i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit.
Forma e investimit, që ka mbizotëruar në 2015-n është ajo e vendosjes së parave jashtë vendit, si “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera tjera financiare”. Ky zë është zgjeruar ndjeshëm me 16% apo me gati 29 miliardë lekë lekë në vlerë absolute (204 milionë euro), në raport me fundin e 2015-s (nga 24 miliardë lekë që u rritën aktivet në total).
Ndonëse interesat e euros janë negative, sërish bankat duket se po e shohin këtë si një alternativë më të sigurt të investimit të parave të tyre, sesa të japing kredi për ekonominë, që ka rezultuar me rënie. Në këtë mënyrë sistemi nuk ka kryer rolin e tij kryesor atë të ndërmjetësimit të parasë në ekonomi (kalimin e fondeve nga kursimtarët tek ata që duan të investojnë). Për bankat, mungesa e projekteve të mira dhe mjedisi i pasigurt i bizneseve kanë ndikuar në këtë zgjedhje.
Ky proces (vendosja e parave të lira te mëmat, në vend që të investohen në kredi apo letra me vlerë të qeverisë vendase) njihet si ‘deleveraging’, apo ulja e varësisë së aktiveve të bankave me kapital perëndimor nga investimet në tregun e letrave me vlerë apo kredi dhe po ndodh në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Europës Lindore që nga viti 2010.
Pas një ngadalësimi në 2013-n dhe gjysmën e parë të 2014-s, ky proces është përshpejtuar sërish në 2015-n, duke reflektuar një rritje të perceptimit të riskut të bankave perëndimore për tregun shqiptar. Banka të mëdha, si Raiffeisen, prej tre vitesh pothuajse e kanë ndërprerë aktivitetin e kredidhënies dhe të blerjes së letrave me vlerë të qeverisë, ndërsa dhe Intesa, ka ngadalësuar ndjeshëm kredidhënien vitin e fundit.
Zëri “depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera tjera financiare” përbënte 15.5% të totalit të aktiveve në fund të 2015-s, nga 7.5% që ishte në Tremujorin e parë 2010, para se të shfaqej ky proces.
Bankierët pohojnë se ato janë të detyruara të mbajnë në llogari depozite fonde të tepërta që mbledhin nga klientet, pavarësisht se depozitat interbankare paguhet ” interes 0″ apo “interesa negative”, në mungesë të kërkesave për kredi nga aplikante të besueshëm dhe duke vlerësuar me risk investimin ne Bono në Euro të Qeversise Shqiptare.
Të njëjtët ekspertë sqarojnë se, bankat janë të detyruara edhe me ligj të marrin depozitat e klientëve edhe pse nuk kanë ku ti investojnë, ndërkohë që alternativat e investimeve janë të limituara
Huaja dhënë sektorit privat ra me 1.5% me bazë vjetore në 2015-s, apo me 9.1 miliardë lekë (65 milionë euro). Treguesi i huasë i raportuar tek aktivet e sistemit banker është neto, duke hequr efektin e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Kjo është performanca më e dobët historike e kredisë në sistemin bankar. Huaja bruto ndërkohë ra me 2.4% në 2015-m. (Lexo: Kredia për ekonominë, në 2015-n rënia më e lartë historike).
Një tjetër zë që ka shënuar rënie ka qenë ai i veprimeve me letrat me vlerë, sidomos në tremujorin e fundit të vitit, pasi qeveria emetoi me sukses eurobondin prej 450 milionë eurosh, nga i cili 300 milionë euro shkoi për rifinancimin e eurobondit dhe 150 milio u përdor për zëvendësimin e borxhit të brendshëm.
Në fund të 2015-s, zëri i “veprimeve të letrave me vlerë” të sistemit bankar shënoi një rënie prej 6.1% në krahasim me dhjetor 2014./Monitor/