“Bankers” nis dëmshpërblimet në Marinzë, çmimet i ka përcaktuar pushteti lokal
Kompania “Bankers Petroleum” njoftoi se ka filluar kompensimin e familjeve të prekura nga shpërthimi i gazit në Marinzë.
Edhe pse nuk e ka publikuar faturën totale të kompensimit, drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Leonidha Çobo, tha se kompania po i dëmshpërblen familjet sipas vlerave të përcaktuara nga pushteti vendor.
“Një komision i ngritur nga Komuna, me miratimin edhe të Prefekturës, ka bërë të mundur vlerësimin e dëmeve. Ministria e Energjisë ka bërë një vlerësim më të detajuar të zonës, ku ka përcaktuar zonën e impaktit. 'Bankers' mori përsipër 100 për qind dëmshpërblimin dhe ne do respektojmë ato që ka nxjerrë raporti për familjet e dëmtuara”, deklaroi Çobo.
Paralelisht, “Bankers” pretendon se pasojat mjedisore të shpërthimeve në Marinzë janë afatshkurtra. “Nga të dhënat nga laboratorë të pavarur, brenda dhe jashtë vendit, ky incident ka pasur një dëmtim të përkohshëm në ambjent”, nënvizoi Çobo.
Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers” thotë se pas incidentit në Marinzë, kompania ka rishikuar dhe metodat operacionale të saj, për të mos lejuar që ngjarje të tilla të përsëriten në të ardhmen.
Në fillim të muajit prill, shpimi i një pusi në fshatin Marinzë shkaktoi vërshimin e gazit dhe ujërave nga nëntoka, duke dëmtuar rëndë mjedisin dhe pronat e bvanorëve të zonës.
/ Top Channel