Banorët e Kodra-Bujarasit denoncojnë mungesën e rrugës, deputeti Boçi: Premtim elektoral i pambajtur
Banorët e fshatit Kodra-Bujaras, në njësinë administrative Gjergjan, shprehen të zhgënjyer pasi premtimi për shtrimin e rrugës, i bërë nga Bashkia Elbasan përpara zgjedhjeve të përgjithshme, ende nuk është realizuar.
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi thotë se investimi i premtuar u shoqërua me vendosjen e një tabele informuese ku shënohej shifra prej 1 miliard lekësh, duke ngjallur entuziazëm te banorët pas vitesh kërkesash për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Për të afatet për përfundimin e punimeve kanë kaluar, fondet e premtuara nuk janë reflektuar në terren dhe rruga vijon të mos përmbushë as standardet minimale.
”Për t’i marrë votën njerëzve, në një skemë që u aplikua në të gjithë Shqipërinë para zgjedhjeve të përgjithshme, Bashkia Elbasan i premtoi banorëve të fshatit Kodra-Bujaras, njësia administrative Gjergjan, shtrimin e rrugës duke i plasur tabelën me shifrën 1 miliard te investimit. Entuziazmi i banorëve ishte i madh pas vite e vite kërkese për rrugën jetike. Po kaq i madh dhe mashtrimi që u del para syve sot banorëve. Afatet kanë kaluar, paratë kanë avulluar e rrugë për të qenë rrugë nuk ka. Dhe Kodra-Bujarsi nuk është i vetëm. Korrupsioni s’ka brirë zoti SPAK”,-shkruan Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

