Bardhi: Negociatat me BE kanë ngecur sepse Rama mbron korrupsionin
Kreu i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi, thotë se procesi i negociatave me BE ka ngecur pasi kryeministri Edi Rama mbron korrupsionin. Për të vendet anëtare nuk kanë miratuar ecurinë e reformave përmes ndonjë vendimi dhe kjo do të thotë që nuk mbyllet dot asnjë kapitull. Ndërsa ka dy pyetje për Ramën, Bardhi nënvizon se mbrojtja ndaj Belinda Ballukut e ka nxjerrë zbuluar kryeministrin pasi “zgjodhi të mbronte veten”. Sipas Bardhit, kryeministri është problemi i vërtetë i Shqipërisë dhe jo Europa.
Postimi i plotë
Edi Rama dhe kryenegociatorja folën sot gjatë për negociatat, por nuk përmendën askund të vërtetën e madhe: negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin. Nga vendet anëtare akoma nuk ka asnjë vendim që të miratojë ecurinë e deritanishme të reformave dhe, pa këtë miratim, ne nuk mbyllim dot asnjë kapitull dhe jo më të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar brenda 4 viteve të ardhshme, siç ka premtuar Kryeministri.
Sot Edi Ramës nuk i takonte të sillej si drejtor drejtorie i Ministrisë së Bujqësisë. As të fshihej pas punës teknike të kryenegociatores. Apo akoma më keq, të linte përgjegjësinë e “sqarimit” të vendeve anëtare tek tre ministra të tij. Edi Rama duhej të sillej si kryeministër dhe t’u thoshte shqiptarëve pse Mali i Zi po përparon shpejt me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.
Edi Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve të thjeshta: A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe duke penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij? A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij antidemokratike për të ndaluar drejtësinë të shkojë deri tek kryeministri?
Anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike. Nuk është çështje reformash në letër. Është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve. E sigurt është se besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament. Rasti i Belinda Ballukut e ka nxjerrë krejt zbuluar Edi Ramën. Kur ai duhet të zgjidhte Europën, kryeministri nën shantazh zgjodhi të mbrojë veten! Nëse nesër do të dëgjoni nga Edi Rama ose vartësit e tij se problemi është Europa, mos u besoni! Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama!
KOHA JONË SONDAZH

