Basha: Është koha për protesta

Partia Demokratike pritet të nisë stinën e protestave. Kryetari i selisë blu, Lulzim Basha njoftoi dje për përgatitjen e një proteste më të madhe sesa ajo e 22 nëntorit të vitit të kaluar. Në mbledhjen e djeshme të grupit të PD-së, Basha tha se mos reflektimi i kreut të mazhorancës përballë protestës së 22 nëntorit është një sfidë që u bëhet qytetarëve. “Tani është radha jonë, është radha e qytetarëve të përgjigjemi. Dhe do të përgjigjemi. Në rast se me 22 nëntor ishim shumë, në protestën e radhës mbarëpopullore duhet të jemi dyfish, trefish më shumë. Vetëm prania mbarëpopullore në protestë do të japë mesazhin e mospranimit, do të japë mesazhin e uljes së çmimit të energjisë si zgjidhje, do të japë mesazhin e bashkimit, në një zë të vetëm, për çdo kërkesë tjetër të drejtë të qytetarëve, për çdo të drejtë të nëpërkëmbur dhe shpërfillur nga kjo qeveri”,- tha kreu i PD-së, Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij, Basha u ndal dhe në situatën e fundit në vend, duke u shprehur se mungesa e rendit dhe sigurisë në vend është një emergjencë kombëtare. Sipas tij, shpërthimet me tritol, grabitjet e biznesve dhe bankave, grabitjet e personave dhe zbulueshmëria zero e policisë, ka të bëjë me qeverisjen e dështuar dhe bashkëpunimin e saj me krimin. Basha ka rritur tonet e akuzave duke kërkuar dhe largimin e Qeverisë. “Të kërkojmë largimin e zyrtarëve të lartë që janë në ortakëri me krimin. Kjo është rruga për të kthyer siguri, por ne nuk kemi iluzion se kjo qeveri e lufton krimin. Zgjidhja përfundimtare është largimi i kësaj qeverie dhe këtë do ta realizojmë me qytetarët”, tha Basha. Kreu i PD-së u ndal dhe në situatën e përmbytjeve në vend, duke akuzuar qeverinë se nuk mori masat e duhura. “Përmbytjet ishin një fatkeqësi e madhe që  vazhdon  të mbetet e tillë  me pasojat e shkaktuara  për banorët e komunave të përmbytura. Vështirë se do të harrojnë fermerët e zonave të përmbytura dhe të mbarë vendit, se ky kryeministër nuk shpalli gjendjen e emergjencës me justifikimin se nuk është e nevojshme, duke nënvlerësuar kësisoj me kokëfortësi, deri në fund, përmasat e përmbytjes dhe duke privuar kështu deri në fund të dëmtuarit, nga përfitimet ligjore që fut menjëherë në veprim shpallja e gjendjes së emergjencës”,- tha Basha. Kreu i PD-së shtoi se aksionet e fundit të mazhorancës janë vetëm tentativa për të joshur qytetarët për tu marrë votën në zgjedhjet e ardhshme vendore. “Shteti ligjor, shteti normal, nuk fuksionon kështu, me shfaqje propagandistike dhe për shfaqje propagandistike. Ndihmat dhe zhdëmtimi i dëmeve duhet të bëhen me seriozitet, pa diferencime, njëlloj për të gjithë, në bazë të llogaritjes të nevojave dhe dëmeve. Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj. Të bëjë publike nëse ka vënë, dhe sa fonde ka vënë, në dispozicion e jo të fshihet pas shfaqjeve me keca të dhuruar nga të tjerët”,- u shpreh dje Basha.

Reagimi

Rama: Vaj me det PD

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një komenti në Facebook lidhur me deklaratën e bërë nga kreu demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit për banorët e përmbytur ka pasur donatorë anonimë, ndërsa akuzoi Qeverinë se po kërkon votat për zgjedhjet vendore në këto zona. "Ah, tani problemi s'është më pse s'ka ndihma po ku i gjetëm ndihmat për të përmbyturit?! Dhe për këtë SHQUP-i kërkon llogari! ‎Vaj me det PD", shkruan Rama në rrjetet sociale.

SHKARKO APP