Basha: Kemi gati “Surprizën” që do të tronditë nga themelet Ramën dhe qeverinë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të ejnten, ka paralajmëruar një denoncim të fortë që opozita shqiptare do të publikojë pas versionit zyrtar të audio-përgjimit, ku përfshihet drejtpërdrejt për trafik droge Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Basha tha në studion e emisionit ‘Opinion’ se pritet të shpërthejë diçka e madhe, e cila do trazojë nga themelet qeverinë socialiste.

“Ata do të thonë ka qenë ky, s’ka qenë Agron Xhafaj. Por pas kësaj do të ketë një surprizë të madhe. Pasi ata të bëjnë këtë lojën, do të kemi një surprizë të madhe. Kjo surprizë do të vjerë andej nga nuk e pret. Pasi t’a shpallin të pavlefshëm audio-përgjimin, pasi Edi Rama ka përcaktuar linjën politike duke thënë se nuk është i vërtetë”,- tha Basha.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka konsideruar betejë të fituar atë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas tij Tahiri sot është jashtë politikës, falë këmbënguljes së opozitës.

Ndërsa ka shtuar se Xhafaj duhet larguar nga posti i Ministrit të Brendshëm, pasi qëndrimi i tij në krye të kësaj ministrie do të thotë shkatërrim provash.

“Beteja me Saimir Tahirin ka marrë fund me sukses. Tahiri është jashtë politikës, po të ishte në dorë të Ramës ai do të ishte akoma deputet. Fati i Tahirit u vulos kur tradhtoi fatin e njerëzve, kur shndërroi policinë e shtetit në mbrojtje të trafikut të drogës. Çdo minutë e qëndrimit të tij në krye të ministrisë së Brendshme dëmton provat. E gjithë koha e ministrit të Brendshëm është vënë në funksion të Agron Xhafajt dhe vetes së tij”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës e cilësoi një skenar kriminal deklaratën e bërë nga kryeministri Edi Rama, vetëm 24 orë pasi doli audipërgjimi ku ishte i përfshirë vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Sipas tij, asnjë laborator nuk mund të nxjerrë analizat nëse audipërgjimi ishte apo jo i vërtetë. Sipas tij deklarata e Ramës ishte marrje në mbrojtje e trafikantëve.

“Nuk mund të pretendojë ky njeri të bëjë vettingun dhe vetë të ketë vëllain trafikant droge. Ky është koka e Ministrisë së Brendshme. Vetëm 24 orë pasi doli audipërgjimi Rama tha se sipas të dhënave të mia, doli e tha që audipërgjimi është i pavërtetë. Menjëherë pas kësaj u kërcënua gazetari, u kërcënua dëshmitari. Ky është një akt kriminal. Brenda 24 orëve Prokurori ndërmori 40 veprime, pranoi mostrat siç ja servirën, siç ua dha Agron Xhafaj”,tha Basha.

SHKARKO APP