Basha me Dhomën Amerikane të Tregtisë: Ulje taksash, nxitje investimesh, konkurencë e ndershme
Lulzim Basha e filloi sot ditën me një mëngjes pune me bordin e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Basha shpjegoi planin e tij të integruar ekonomik dhe foli për uljen e taksave, nxitjen e investimeve, mbështetjen e zhvillimit të industrisë prodhuese dhe të bujqësisë.
“Qeveria ime do t’i japë fund terrorit të gjobvënies, trysninë dhe arbitraritetit shtetëror ndaj sipërmarrjes dhe do të jetë garantues i konkurencës së ndershme dhe mundësive për të gjithë”, u shpreh Basha.
Basha tha se plani i tij është i harmonizuar dhe tërësor dhe të gjithë elementët e tij janë të domosdoshëm për sukses.
Kreu i opozitës u shpreh se për katër vjet qeveria ka patur prioritetet e gabuara duke i angazhuar burimet financiare dhe njerëzore të vendit në përdorime sipërfaqësore që nuk krijojnë vlerë të shtuar, punësim dhe prodhim. Vendosja e prioriteteve të duhura qeveritare sidomos në ekonomi, është thelbi i gjithë planit të tij.
Ky plan ngjalli interes, dhe investitorët e mirëpritën politikën e taksave të ulura për biznesin dhe riorientimin e burimeve publike në shërbim të zhvillimit ekonomik.