Basha në Durrës: Qeveria e re ndërton motorin e vendit. Koalicion me…

Pas vizitës në SHBA me Presidentin Donald Trump, kreu i PD-së, Lulzim Basha, rifilloi turin e takimeve elektorale. Nga Durrësi, Basha u shpreh se “qeveria e re do të ndërtojë motorin e vendit, që është ekonomia”.

Kreu i PD, theksoi se pas 25 qershorit do të bëhet koalicion vetëm me qytetarët. Basha shoqërohej në takimet me qytetarët nga kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në këtë qark. “Plani im për një ekonomi të fortë do të krijojë vende pune dhe do të përmirësojë ekonominë e të gjithë qytetarëve”, thotë Basha.

Më herët, Basha solli në vëmendje ngjashmërinë e planit të tij për ekonominë me atë të presidentit Trump dhe u kërkoi demokratëve angazhim maksimal deri më 25 qershor.

“10 ditë për t’u ndarë njëherë e mirë me republikën e mashtrimeve, republikën e korrupsionit, drogës dhe kriminelëve dhe për t’i hapur derën Republikës së qytetarëve, republikës së ekonomisë së fortë, të nesërmes së sigurtë. Kjo është ajo që preism të gjithë, apo jo? Kjo është ajo që pret bota nga ne, ajo që presin aleatët nga ne. Ndaj të mos harxhojmë asnjë minutë. Le të marshojmë drejt Republikës së qytetarëve dhe ekonomisë së fortë”, u shpreh Basha.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Ne duhet ti çojmë kriminelët prapa hekurave. Sepse këta çfarë bëjnë? I nxjerrin dhe i sjellin në mes të Durrësit. Këta të dy, deri para 2 javësh putheshin sepse kishin bërë në plan të bënin zgjedhje pa opozitën, e tani zihen. Po pse zihen? Zihen sepse duan pasurinë e vendit. 550 milionë euro i kanë futur në xhepa 48 veta, me kryehajdutin Ilir Beqaj dhe shefin e tij Edi Rama.

Gjysma e parave nuk shkojnë për shëndetësinë, por vidhen. Para 4 vitesh tha 300 mijë vende pune, po në Durrës sa vende pune janë hapur? Asnjë. Në 4 vite, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë qenë në garë se kush vjedh më shumë. Edhe sot janë në garë, sepse nuk janë në garë për ju, por se kush të vjedhë më shumë.

Këto 2 javë të fushatës u kujtuan të thonë të zezat e njëri-tjetrit. Ky është mashtrimi i fundit i tyre. Edi Rama me dy patericat e tij, Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin. Këta e shkatërruan ekonominë, këta e mbushën shtetin me kriminelë. Këta duhet të ndëshkohen me votë, i pari Edi Rama dhe të tjerët pas tij.

Partia e parë fituese e këtyre zgjedhjeve do të jetë PD dhe opozita e bashkuar. Ne nuk do të bëjmë pazar, as me shpk-të as me tezgat. Po vjen ora e ndëshkimit. Rama flet për timonin, por vetëm timoni i ka ngelë Shqipërisë, shtet. Motorin e shkatërroi me gjithçka tjetër. Cili është motori i një vendi? Ekonomia. Ai e shkatërroi. Ka harxhuar miliarda euro për palma, zyra, makina luksi. 600 milionë euro i ka falë CEZ-it dhe për të mbushur gropën u rriti çmimin juve.

SHKARKO APP