Basha në Lezhë e Laç, betohet para laçianëve: Nuk do humb asnjë minutë kohë për Republikën e Re
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ndali turin e tij elektoral pasditen e sotme në Lezhë dhe Laç.
Basha shpalosi para simpatizantëve të PD programin ekonomik të Partisë Demokratike, që përshin punësimin dhe uljen e taksave. Sipas Bashës, ekonomia e dobët është një nga faktorët kryesorë të shkatërrimit të familjeve shqiptare.
“Si kryeministër i ri i Republikës së Re, premtoj se shqiptarët do të jenë të barabartë para ligjit dhe do të trajtohen njësoj. Duke nisur me papunësinë, plagën më të madhe të shqiptarëve sot, që ne do t’i japim zgjidhje. Do të rrisim pensionet. Duke nisur nga ky vit rinis ngritja e pensioneve dhe niveli 25 mijë lekë të reja i pensioneve është objektivi ynë brenda 4 viteve të para”, tha Basha para banorëve të Kurbinit.
Ai u betua para banorëve të Laçit se nuk do të humbë asnjë minutë kohë për Republikën e Re.
“Dua t’ju betohem dy netë para natës së Shna Ndout, që përkon në të njëjtën ditë me ditëlindjen time se nuk do humb asnjë minutë për Republikën e Re”, u shpreh Basha.
Basha sulmoi Ramën dhe Metën, për të cilët tha se tani po sillen si Republikë e Re, pasi kanë parë se qytetarët janë ngritur në këmbë kundër kësaj qeverie.
“Republika e vjetër merr fund më 25 qershor, ne do ta nisim bashkë punën e madhe që na pret për ekonominë, për punësimin, për uljen e tvsh-së, vendimin për 100 milionë euro subvencione për fermerët, vendimin për 25 milionë euro në vit për 10 mijë student që do përfitojnë një vit stazh me 200 mijë lekë të vjetra në muaj”, tha Lulzim Basha.