Basha në Top Story: Parlament me 100 deputetë dhe sistem mazhoritar
Në Top Story këtë të enjte, Lulzim Basha e ndau “Republikën e Re” në dy pjesë; atë politike dhe atë ekonomike.
Duke folur në Top Story me Sokol Ballën, Basha shpjegoi anën politike.
“Pjesa politike është ndryshim i thellë i Kushtetutës. Në Shqipëri ka humbur lidhja mes pushtetarit dhe qytetarit dhe kjo ka ndodhur gradualisht. Përgjegjësia është e të gjitha palëve politike, por veçanërisht e autorëve të ndryshimeve kushtetuese të 2008. Në bazë të këtyre ndryshimeve, deputetët nuk kannë lidhje me qytetarët dhe u mjafton ta kenë mirë me kryetarin e partisë. Vetë deputetët zgjidhen për të kontrolluar qeverinë, por me këtë sistem qeveria i kontrollon ata. Ne duam që në radhë të parë të kthejmë pushtetin tek qytetarët”, tha Basha.
Kreu i opozitës shpjegon edhe rrugët që mund të bëhet kjo.
“Futja e sistemit amerikan ‘recall’, që do të thotë që një deputet mund të shkarkohet përmes referendumit në zonën e tij. Me këtë mund të shkarkohet Kryeministri dhe kryebashkiaku e të tjerë dhe nuk lidhet më fati i një politikani me fatin e një oligarku dhe biznesmeni”, shtoi ai.
Propozimi i Bashës shkon edhe më tej.
“Kryeministri të zgjidhet nga populli dhe të shkarkohet nga populli. Më e rëndësishmja është që fati i Parlamentit nuk lidhet me fatin e Kryeministrit. Ky Parlament nuk e kontrollon Qeverinë, nuk kontrollon kryeministrin”, u shpreh Basha.
Kreu i PD propozon gjithashtu edhe uljen e numrit të deputetëve dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të tyre në sistem mazhoritar.
“Deputetët do të zgjidhen në zona direkte mazhoritare me 100 gjithsej, pa korrektim. Të kemi vetëm 100 deputetë”, tha ai.
Lulzim Basha thotë më 25 qershor shqiptarët do të jenë përballë një zgjedhjeje të vetme të vërtetë që bazohet tërësisht tek ekonomia dhe ringritja e saj.
“Që është plani ekonomik i Partisë Demokratike, i hartuar në 2 vjet e gjysmë shumë të vështira për qytetarët shqiptarë, ku u godit sipërmarrja, u goditën qytetarët”, tha ai.
Basha tha se programi është hartuar nga ekspertët më të mirë europianë.
“Është hera e parë që një parti politike vjen në zgjedhje me një plan ekonomik me taksa të ulta dhe mbështetje për sektorët kryesorë, fermerët me subencione, sipërmarrjen që krijon vende pune. Është një program që merret me ekonominë, jo me timonin.