Basha: Trump nuk e takoi Ramën

Kreu i PD, Lulzim Basha ka treguar në #DritaremeRudinën në Vizion Plus të vërtetën për takimin me presidentin Trump. Gjatë një takimi me fermerët në Korçë, njëri prej tyre i kërkoi që ta informonte Trumpin, për problemet në Shqipëri. Por ja çfarë thotë Basha për takimin me presidentin amerikan:

“Një fermer foli për presidentin Trump, sepse unë e përmenda në kuadër të frymëzimit që kam nga akti i tregtisë së lirë dhe të ndershme, që do te thotë se nuk mund të ketë subvencione për fermerët e huaj dhe jo subvencione për fermerët vendas. Nëse kjo ndodh, atëherë do të ketë tarifa doganore proporcionale. Pa dyshim, presidenti Trump ka qenë një frymëzim edhe për lëvizjen tonë popullore, për lëvizjen e 18 shkurtit, sepse ka treguar se është me e fortë se çdo kast politike. Është frymëzim presidenti Trump. Unë shpresoj që së shpejti të kem mundësinë t’i shtrëngoj dorën dhe t’i garantoj se si kryeministër i Republikës së Re, do të forcojmë bashkëpunimin e me aleatin tonë strategjik, SHBA, në të gjitha fushat, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe investimeve amerikane në Shqipëri.

I pyetur për faktin se Rama e takoi më parë, Basha tha: “Kështu thotë ai, po kështu ka thënë shumë gjëra dhe si kanë dalë. Nuk merrem me thashetheme, por  të tjerët thanë që nuk e takoi”.

Basha vuri theksin tek puna që duhet bërë për të hyrë në Evropë. Pasi Evropa i dha mundësinë të bëhet ky që është, tani është radha e tij ta bëjë Shqipërinë si Evropa, premton z. Basha: “Puna për të hyrë në Evropë bëhet këtu. Unë e kam parë, e kam shijuar, e kam gëzuar Evropën si student dhe Evropa më dha mundësi të bëhem ky që jam dhe tani është radha ime t’i jap mundësinë çdo shqiptari, në veçanti të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë të jenë qytetarë të standardeve evropiane.”

Në lidhje me fjalët se ai e ndan jeten mes Tiranës dhe Hollandës, Basha përgjigjet: “Këtë e thonë një grup gënjeshtarësh sepse unë jetoj në të njëjtin apartament ku kam jetuar prej vitit 2005, vajzat shkojnë në shkollë këtu në Shqipëri dhe gjithçka tjetër është një shpifje dhe një tregues i mjerimit mendor dhe shpirtëror i atyre që nuk konkurrojnë dot as me programin tim, as ekipin tim dhe as me përkushtimin tim ndaj Shqipërisë,  prandaj merren me sulme ndaj familjes”./dritare.net

SHKARKO APP