Basha u premton gjuetarëve nga Vlora: Do anuloj moratoriumin

Nga Vlora, kreu i Partisë Demokratike ka ndezur dritën jeshile për gjuetarët në mbarë vendin, duke premtuar se do të anulojë moratoriumin e qeverisë Rama nëse fiton zgjedhjet.

Lulzim Basha akuzoi të majtën se ndaloi gjuetinë për të mos zbuluar plantacionet me kanabis.

Basha: Dua ta mbyll me një premtim për një degë të veçantë të turizmit që ka të bëjë me gjuetinë. Gjuetia në asnjë vend nuk ndalohet por normohet dhe kontrollohet, ndalimi i gjuetisë ka pasur një qëllim, të hiqte sytë dhe veshët e gjuetarëve nga mbushja e maleve, kodrave dhe pyjeve të Shqipërisë me hashash. Unë i kam dhënë fjalën Kryesisë Kombëtare të Shoqatës së Gjuetarëve dhe dua këtu nga Vlora ta përsëris për cilindo se do të anulohet moratoriumi për gjuetinë.

Ne do të normojmë sigurisht me norma europiane që kanë ekzistuar dhe më përpara dhe që do të zbatohen në mënyrë rigoroze gjuetinë jo vetëm për shqiptarët por edhe si një degë të fuqishme të zhvillimit të turizmit. Sot policë të korruptuar marrin mijëra euro dhe vinë gjuetarët nga Italia, e dini ju, dhe vrasin pa asnjë kriter.

Kjo do të marrë fund. Moratoriumi do anulohet, gjuetia do të lejojhet përsëri e normuar. Gjuetarët shqiptarë së bashku me policinë shqiptare, së bashku me të gjithë ata që përdorin habitatet e egra të vendit, të gjithë do të jemi bashkë për të ndaluar më të keqen e këtij vendi që është droga dhe krimi i lidhur me drogën.

Prej tre vitesh, gjuetarët kanë ndaluar aktivitetin e tyre. Qeveria procedoi fillimisht me moratoriumin 2 vjeçar dhe pas skadimit të afatit të tij me 15 mars 2016, Këshilli i Ministrave vendosi ta shtynte edhe me 5 vite të tjera, deri në 2021.

Shoqata e Gjuetarëve të Shqipërisë e ka kundërshtuar vazhdimisht ligjin përmes protestave.

Nga ana tjetër ekspertët kanë vlerësuar se moratoriumi ka sjellë efekte pozitive sa i përket shtimit të popullatave të faunës, të cilat për disa specie ishin në minimumin jetik.

SHKARKO APP