Bashkia e Tiranës fond për fuqizimin e grave sipërmarrëse, ja si mund të përfitoni
Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbështesë me një projekt të veçantë gratë sipërmarrëse që kanë një ide mbi ngritjen e një biznesi të suksesshëm apo që duan të zgjerojnë një biznes ekzistues. Të enjten pritet që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të kalojë edhe vendimi që lidhet pikërisht me miratimin e një fondi prej 5 milionë lekë që do të vihet në dispozicion nga Bashkia për këtë projekt. Partner në këtë nisëm është edhe PNUD që do të ofrojë një fond prej 2.7 milionë lekësh i orientuar për mbështetjen e grave sipërmarrëse që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. Pra në total fondi për projektin llogaritet në 7.7 milionë lekë.
Projekti
“Projekti është skicuar për kandidatet me një ide të qartë biznesi, që synon fillimin ose zgjerimin e një biznesi të pavarur të vogël ose shumë të vogël. Kandidatët e përzgjedhur janë të detyruar të marrin pjesë personalisht në të gjitha aktivitetet e Projektit, pasi ata janë drejtpërdrejt të përfshirë në zhvillimin dhe zbatimin e biznesit të tyre. Secila aplikante mund të marrë pjesë vetëm me një ide biznesi. E drejta për të marrë pjesë në projekt dhe për të pasur akses në asistencën me grante mund të përdoret vetëm një herë në vit” thuhet në relacionin e projektvendimit që pritet të kalojë për miratimi.
Kushtet e financimit
Çdo projekt që kalon fazën e përzgjedhjes do të marrë një financim në kufijtë e 200 mijë deri në 500 mijë lekë. Në rastet kur parashikohet shtesë financimi nga burime të tjera, këto detaje duhet që të përfshihen në planin e biznesit që do të paraqitet për konkurrim. Aplikantet duhet të jenë banore të qytetit të Tiranës dhe përparësi kanë ato që i përkasin grupeve apo komuniteteve si: rom dhe egjiptian, gratë nga zonat rurale të bashkisë, kryefamiljaret, me aftëis të kufizuara si dhe kategoritë e tjera. Llojet e biznesit mund të përkufizohen në biznese rurale, turizëm, teknologji informacion, industri e tekstilit, shërbime, punë artizanale.
Fazat e projektit
Faza e I-rë: Kandidatet e pranueshëm aplikojnë me idenë e tyre bazë për biznes, përmes Formularit të Aplikimit.
Faza e Il-të: Aplikantet e pranuara marrin pjesë në trajnim (10 gjysma dite pune) për aftësi të përgjithshëm biznesi dhe zhvillimin e planit të biznesit, dhe vetëm atëherë ata dorëzojnë planet e tyre të biznesit. Planet e biznesit do të jenë një version me i përpunuar i idesë për biznes dhe do të konkurrojnë për mbështetjen e grantit.
Faza e III-të: Fituesit e njoftuar do të firmosin një kontratë 24 mujore për të marrë financimin e grantit dhe mbështetje këshilluese.