Bashkia e Tiranës nis projektin transformues për Njësinë 9

Njësia 9 në kryeqytet është bërë pjesë e një prej projekteve më të mëdha transformuese në infrastrukturë. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e rrugëve dhe shesheve në bllokun që kufizohet nga bulevardi “Zogu I-rë”, “Rr. e Dibrës”, Rr. “Siri Kodra” dhe Rr. “Reshit Petrela” me një sipërfaqe rreth 27.4 hektarë.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi banorët e bllokut të banimit se pranvera do t’i gjejë me një lagje të re. Duke kërkuar mirëkuptimin e tyre për punimet gjatë kësaj periudhe, ai theksoi se ky investim i rëndësishëm do i shërbejë mijëra banorëve dhe se, ashtu si në çdo vend tjetër ku ka ndërhyrë Bashkia e Tiranës, do të sjellë rritjen e vlerës së pronës. “Ky projekt me 27.4 ha në 27 rrugë, që parashikon ndërhyrje me themel, pra që nga shtresat nëntokësore, me sinjalistikë, ndriçim etj, duke shtuar edhe disa lulishte, besoj do jetë projekti më transformues që ka parë Njësia 9 në 50 vitet e fundit. I kërkoj banorëve durim, mirëkuptim, teksa do ta kthejmë të gjithë lagjen në kantier, por ama kur të hyjë pranvera, brenda 6-7 muajsh, do kemi mbaruar dhe kjo do të jetë një zonë, e cila do të shohë vlerën e shtëpisë të rritur, por sigurisht edhe gjallërimin e bizneseve në një zonë shumë të lakmuar të Tiranës”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se rikonstruksioni i këtij blloku banimi është një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës, në të cilën nuk është vënë dorë prej vitesh, duke u kthyer në një shqetësim për gjithë komunitetin përreth. “Është një premtim që e kemi bërë edhe në fushatë dhe sot jemi këtu që të mbajmë fjalën. Edhe pse është në qendër të Tiranës, pra kryqëzohet nga Rruga e Dibrës dhe nga unaza kryesore e Tiranës, është një situatë mesjetare. Besoj se këto skena të suvave që bien, të kanaleve të zeza që kanë dalë në sipërfaqe, të këtij kukureci me tela elektrikë, internet dhe telefonie, duhet t’i vijë fundi. Do të duhet që të punojmë edhe me gjithë shtresat e infrastrukturës për t’u siguruar që kemi një lagje model”, tha kreu i Bashkisë.

Sikurse është bërë tashmë traditë në këto dy vite, nëntori shënon dhe fillimin e konsultimit me banorët për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e dëgjesave publike për të propozuar se cilat do të jenë investimet prioritare të Bashkisë së Tiranës për vitin 2018. “Do të vazhdojmë edhe me lagje të tjera të Tiranës, por ndërkohë jemi futur në muajin kur do të diskutojmë buxhetin. Do të vijmë me propozime konkrete, por në pamundësi për t’i bërë të gjitha gjërat menjëherë, ashtu si në një shtëpi, ku nuk bëhen të gjitha punët përnjëherë, do t’u kërkojmë banorëve që të na thonë, në dëgjesat për buxhetin se cilat kanë prioritete. Mund të jetë një shkollë, mund të jetë një kopsht, një çerdhe. Nëse i vendosim prioritetet bashkë në buxhetin me pjesëmarrje, do të kemi sukses dy vitet e ardhshme në Tiranë siç kemi pasur këto dy vitet e para”, deklaroi Veliaj.

Projekti për rikonstruksionin e këtij blloku të madh banimi parashikon sistemimin e rrugëve dhe shesheve, me të gjithë elementët e infrastrukturës rrugore dhe urbane, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone dhe krijimin e akseseve të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit.

SHKARKO APP