Bashkia Elbasan: Situata në territor nën kontroll pas reshjeve të pandërprera
Bashkia Elbasan bën të ditur se pas 24 orësh reshje shiu të pandërprera, situata në të gjithë territorin e bashkisë paraqitet e qetë dhe nën kontroll.
Të gjitha ekipet e ASHP-së, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale, ndodhen në terren dhe janë në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme emergjente. Në zonat fshatare po vijon shpërndarja e skorieve në rrugët malore, si masë parandaluese për ngricat që priten në ditët në vijim.
Ndërkohë, po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme prurjet e Lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës, të cilat vijojnë të jenë në kuota normale dhe nuk paraqesin rrezik. Në zonën urbane, ekipet po mbajnë nën kontroll kolektorët, me qëllim shmangien e bllokimeve të mundshme nga inertet e sjella nga reshjet.
Sipas parashikimeve, 24 orët në vijim priten të shoqërohen me reshje edhe më intensive, ndaj strukturat e Bashkisë Elbasan kanë shtuar masat e monitorimit dhe janë në gatishmëri të vazhdueshme.
Bashkia Elbasan vijon të ndjekë nga afër situatën dhe mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së qytetarëve.

KOHA JONË SONDAZH

