BB publikon raportin e strategjisë për Shqipërinë: Mbështetje e fortë për modelin e ri ekonomik
Banka Botërore publikoi raportin e strategjisë për Shqipërinë për periudhën 2015-2019, i cili përmban programin që përqendrohet në uljen e varfërisë dhe zhvillimin.
Programi i BB-së vlerësohet si mbështetje e fortë për reformat dhe modelin e ri ekonomik që ka vendi ynë, ndërsa raporti parashikon programin që mbështet aspiratat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Programi i BB-së bën të mundur avancimin e reformave dhe masave që ka nisur qeveria shqiptare në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe modelit të ri ekonomik, ecurinë e reformave në shërbim të qytetarëve dhe sundimit të ligjit.
“Programi përqendrohet në uljen e varfërisë dhe zhvillimin e vendit. Qeveria lëvizi me gjallëri drejt konsolidimit fiskal, si dhe ka progres në reformën e energjisë dhe pensioneve. Po kështu u morën reforma të nevojshme për investimet”, thuhet në raport.
Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore po punon për zhvillimin e disa sektorëve kyç të ekonomisë, si turizmi, energjia, arsimi profesional, bujqësia, prodhimi, manifaktura dhe eksportet “Made in Albania”.
Programi 5-vjeçar për këtë ministri, synon mbështetjen e sektorit privat, me objektiv, rritjen e konkurrueshmërisë, krijimin e vendeve të reja të punës, të cilat vjet u rritën 10%. Kjo rritje, sipas burimeve, përbën një rekord krahasuar me 20 vitet e fundit.