BB “shkurorëzon” Shqipërinë – Nuk do jetë vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon

Ndryshe nga të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare, Banka Botërore duket se ka një qëndrim krejt të kundërt sa i përket rritjes ekonomike të rajonit.

Projeksionet e fundit, të publikuara nga institucioni me bazë në Washington në një raport të veçantë tregojnë se, Shqipëria nuk do të jetë aspak vendi me rritjen më të shpejtë në rajon, as këtë vit, as atë të ardhshëm e as në vitin 2019.

Pra, Banka Botërore ka një qëndrim krejt tjetër me atë të Komisionit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar e institucioneve të tjera në këtë drejtim.

Të dhënat për vitin aktual tregojnë se, vendi ynë është i treti në listë, pas Malit të Zi dhe Kosovës, me një normë rritje të ekonomisë të projektuar në 3.6%. Sa i përket vitit të ardhshëm, Shqipëria është e dyta në listë. Pas Kosovës.

Sa i përket vitit 2019 ndërkohë, Shqipëria e ndan vendin e tretë së bashku me dy shtete të tjera; Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Kosova dhe Maqedonia ndërkohë, projektohen me një rritje ekonomike në 4 dhe 3.9% respektivisht.

Dy vitet e ardhshme, Kosova projektohet si ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon. Gjithsesi, duke bërë një mesatare të të treja viteve, rezulton se vendi ynë ka ecurinë më të qëndrueshme dhe është i dyti pas Kosovës në terma rritje ekonomike.

SHKARKO APP