BB: Ulja më e vogël se plani. Reforma në energji ngeci

Banka Botërore deklaroi se ulja e borxhit publik në Shqipëri është shtyrë me disa vjet, pasi qeveria nuk arriti të realizojë objektivat fiskalë sipas marrëveshjes së rënë dakord me Fondin Monetar në vitin 2013.

“Në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, borxhi publik i Shqipërisë parashikohej të arrinte kulmin 71.7 për qind në vitin 2014 dhe të ulej në 69.3 për qind brenda vitit 2016. Por në vend të kësaj treguesi u rrit në 73.7 për qind në vitin 2015 dhe nuk parashikohet të zbresë nën nivelin 70 për qind deri në fund të këtij viti,” deklaroi BB, në një dokument ku analizon ecurinë e marrëveshjes me Shqipërinë.

Sipas Bankës Botërore, arsyet se pse qeveria shqiptare dështoi të ulë borxhin sipas programit janë disa, përfshirë rritjen e ulët ekonomike.

“Shkaqet përfshijnë zhvlerësimin e lekut ndaj dollarit,  rritjen ekonomike më të ulët nga parashikimet, dhe performancën e dobët në mbledhjen e të ardhurave,” shkruan BB.

Reforma energjetike

Por ulja e borxhit nuk ishte treguesi i vetëm me të cilin qeveria dështoi. Sipas Bankës Botërore, edhe reforma në energjetikë ka rezultuar problematike.

“Implementimi i reformave të energjisë ishte gjithashtu më i ngadaltë nga sa pritej, veçanërisht barazimi i tarifave me koston dhe miratimi i legjislacionit dytësor. Por veçanërisht reforma filloi të humbasë momentum në fund të ciklit të zgjedhjeve,” deklaron BB.

Sipas Bankës, qeveria shqiptare dështoi të ulë humbjet e energjisë dhe projekti i rimëkëmbjes së sektorit ka dalë tashmë jashtë objektivave. Sipas programit 5 vjeçar të rimëkëmbjes, që qeveria dakortësoi me Bankën Botërore në fund të vitit të kaluar, humbjet e energjisë duhet të ishin ulur në 26 për qind. Por shifra faktike e humbjeve ka rezultuar 28 për qind, ose 2 pikë përqindje më shumë se sa objektivi.

“Uljet e energjisë në 2016-ën u ulën me 3.3 për qind, nga 31.3 për qind që ishin në 2015-ën në 28 për qind. Megjithatë ato janë 2 pikë përqindje më lart se objektivi i dakortësuar prej 26%,” deklaron Banka Botërore.

Sipas të dhënave, humbjet e energjise kanë mbetur edhe këtë vit në nivelin 28 për qind, kur duhet të ishin tashmë 22 për qind.

Image

SHKARKO APP