BE: Mbyllni Facebook-un nëse nuk doni t’ju përgjojnë!
Nëse nuk dëshironi që Shtetet e Bashkuara t’ju përgjojnë, mbyllni llogaritë tuaja në Facebook! Këshillën e çuditshme për qytetarët e kontinentit të vjetër e dha Komisioni Europian gjatë një seance në Gjykatën Europiane të Drejtësië.
Juristi përfaqësues i komisionit, Bernhard Skima, e bëri komentin befasues gjatë shqyrtimit të asaj që është pagëzuar si “Çështja e të dhënave të Facebook”, të ngritur nga një aktivist i privatësisë, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të posaçme mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, sipas të cilës të dhënat e përdoruesve europianë në Facebook mund të dërgohen në selinë qendrore të kompanisë përtej Atlantikut.
Pa këtë marrëveshje specifike, ligjet e Bashkimit Europian nuk lejojnë mbledhjen dhe dërgimin e të dhënave të qytetarëve të vet jashtë eurozonës.
Në çështjen që po shqyrtohet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, janë ngritur gjithashtu ankesa edhe ndaj disa kompanive amerikane përveç Facebook, si Apple, Microsoft, Skype dhe Yahoo, të cilat janë përmendur nga ish-spiuni amerikan Eduard Snouden se dërgonin të dhënat e klientëve të tyre në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë.
Edhe pse marrëveshja e nënshkruar mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara është kritikuar edhe nga shtete si Irlanda dhe Polonia, sërish, komisioni e quan atë një domosdoshmëri politike dhe ekonomike. Vendimi përfundimtar mbi këtë çështje pritet të jepet nga gjykata në 24 qershor të këtij viti.