Benet Beci: Monitorim i pandërprerë në segmentin Ura e Shtrenjtë – Prekal, në fokus siguria e qytetarëve
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka njoftuar se strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën në aksin rrugor Ura e Shtrenjtë – Prekal, një segment i ndjeshëm që shpesh përballet me vështirësi për shkak të kushteve atmosferike dhe terrenit të vështirë malor.
Në një deklarim përmes rrjeteve sociale, Beci bëri të ditur se ekipet e Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Emergjencat Civile, ndodhen prej orësh në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin e situatës:
“Ekipet e Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me strukturat e Emergjencave Civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën në segmentin Ura e Shtrenjtë – Prekal. Po kryhet vlerësimi paraprak i gjendjes, si dhe po shqyrtohen mundësitë e ndërhyrjes së menjëhershme për normalizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë për banorët dhe përdoruesit e rrugës.”
Sipas njoftimit, prioritet mbetet garantimi i qarkullimit sa më të sigurt për banorët e zonës dhe për automjetet që lëvizin çdo ditë në këtë aks, i cili përbën një lidhje jetike për komunitetet malore.
Specialistët në terren po hartojnë një vlerësim teknik të detajuar për të përcaktuar natyrën e ndërhyrjeve emergjente dhe masat parandaluese që do të ndërmerren në vijim, me qëllim shmangien e rreziqeve të mundshme, si rrëshqitje, prishje infrastrukture apo bllokime të qarkullimit.
Bashkia Shkodër ka bërë apel për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë segment dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse, ndërsa thekson se informacioni do të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme, në varësi të zhvillimeve në terren.
Ky reagim vjen në kuadër të një qasjeje më proaktive për menaxhimin e situatave emergjente, ku koordinimi ndërinstitucional dhe ndërhyrja në kohë synojnë të minimizojnë rreziqet dhe pasojat për komunitetin.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

