Bennett në Tiranë: Njerëzit kanë nevojë për media të përgjegjshme

Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, u takua sot gjatë vizitës dyditore në Tiranë me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e priti zonjën Bennett, së bashku me kolegët e saj që drejtojnë “Zërin e Amerikës” në departamentin e Euro-Azisë dhe seksionin në gjuhën shqipe.

Zonja Bennet dhe kolegët e saj u takua po sot me kryeministrin Edi Rama, me të cilin shkëmbyen dhurata simbolike dhe mendime për zhvillimet e fundit të demokracisë dhe medias.

Këto takime janë pjesë e një vizite disaditore që drejtorja e “Zërit të Amerikës”, Amanda Bennett, po zhvillon në disa shtete të rajonit të Ballkanit.

Ajo mori pjesë një ditë më parë në një forum diskutimesh pranë Universitetit Europian të Tiranës, ku diskutoi me një auditor të gjerë studiuesish dhe gazetarësh mbi sfidat e sotme të gazetarisë.

Zonja Bennett theksoi gjatë fjalës së saj, se njerëzit kanë nevojë për media të përgjegjshme, edhe pasi përfundojnë krizat, tensionet apo lufta e ftohtë.

“Gjendja e medias këtu në Shqipëri – tha zonja Bennett – pasqyron po ashtu gjendjen e mediave kudo në botë, ku ka shumë presione politike, ekonomike, dhe ekziston një betejë për të patur sa më shumë ndikim, gjë që i shtyn palët që të polarizohen, dhe kjo betejë është më e ashpër se asnjëherë më parë, ndaj edhe bashkëpunimi midis vetë mediave është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

Zonja Bennett tha se “njerëzit kërkojnë gjithmonë të vërtetën, por në kohët e sotme gazetarëve u janë shtuar vështirësitë për ta gjetur atë, sepse ajo gjendet e fashitur midis shumë detajesh të tjera të pavërteta. Ndaj edhe bashkëpunimi mes gazetarëve është i rëndësishëm për të verifikuar të dhënat dhe për të nxjerrë shkrime të sakta e të ndershme”.

Ajo iu përgjigj një seri pyetjesh nga auditori i universitarëve, ku në mesin e shumë profesorëve, drejtues mediash dhe gazetarë, kishin ardhur edhe deputetë studiues dhe zyrtarë të ndryshëm.

Zonja Bennett theksoi se gazetarët nuk mund të ndalojnë dot përpjekjet e qeverive të përhapin lajmet e manipuluara, por ajo që mund të bëjnë gazetarët është të qëndrojnë besnikë parimeve të punës së tyre.

“Ajo që ne mund të bëjmë e të kontrollojmë përballë këtij presioni në rritje është të ruajmë standartet që ne kemi. Kudo në botë mediat po polarizohen, dhe dilema është çfarë njerëzit besojnë dhe jo se cila është e vërteta. Vlerat e gazetarisë tonë janë balancimi dhe renditja e drejtë e fakteve. Përpiqemi të përfshijmë të gjitha palët me përgjegjshmëri” – tha ajo.

Drejtorja e “Zërit të Amerikës, Amanda Bennett po viziton prej disa ditësh rajonin e Ballkanin, ku qëndroi në Beograd, Podgoricë, Shkodër dhe Tiranë ka në plan të vizitojë edhe Prishtinën.

Kjo është vizita e parë që një drejtuese e nivelit më të lartë të “Zërit të Amerikës” viziton vendet e Ballkanit.

SHKARKO APP