Beqaj: 38 % e mjekëve s’kanë marrë kreditet

 Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi të enjten në Kuvend se 1/3 e trupës mjekësore duke përjashtuar infermierët nuk kane marrë kreditet e nevojshme të ciklit 5-vjeçar të edukimit në vazhdim. “Ne kemi në shëndetësi, aktualisht me burimet njerëzore një situatë që unë do t’a quaja emergjencë kombëtare. Në përfundim të ciklit të parë 5 vjeçar të edukimit në vazhdim rezulton se 36 % e mjekëve , 28 % e farmacistëve dhe 52 % e mjekëve stomatologë nuk kane arritur të marrin kreditet e caktuara për këtë proces dhe normalisht nuk mund t’a ushtrojnë më profesionin e tyre, nëse brenda 6 muajsh nuk do t’i nënshtrohen një procesi riçertifikimi”, tha Beqaj. Sipas tij, jemi përballë alternativës nëse këtë trupë mjekësore duhet t’a lejojmë të ushtrojë profesionin e të japin kujdes shëndetësor, me pasigurinë në njohuritë e tyre, apo mos t’i lejojmë dhe të krijojmë menjëherë një boshllëk me 1/3 e trupës mjekësore. “Ne kemi vendosur të angazhojmë të gjitha institucionet që të merren seriozisht për të bërë maksimumin për të arritur që deri në mesin e muajit prill të shpallim programet e edukimit dhe brenda tetorit të bëhet provimi në mënyrë që të mbarojmë këtë proces me sa më pak kosto”,- deklaroi ai. Duke folur për vendimin e Gjykatës Administraive, e cila dy ditë më parë pezulloi vendimin e ministrisë së Shëndetësisë për testimin e infermierëve, Beqaj tha se ai testim, në gjykimin tonë është i domosdoshëm. “Nga ana tjetër, për t’u kthyer dhe tek testimi, po e ripërsëris: Ai testim, në gjykimin tonë është i domosdoshëm, por minimalisht 3 gjëra nuk i prek, dhe – dua ta përsëris këtu, – nuk prek në përfundim të testimit marrëdhëniet e punës, që janë një nga gjërat më të rëndësishme, përfshirë edhe pagën, si një element i rëndësishëm i marrëdhënies së punës, dhe nuk prek as të drejtën e vijimit të ushtrimit të profesionit. Kush ka patur mundësi apo mundimin ta lexojë rregulloren, aty nuk ka nivele pikësh, që me kaq kalon dhe me kaq nuk kalon”,- tha Beqaj.  Ndërkohë deputetja demokrate Albana Vokshi i bëri thirrje ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj që të tërhiqet nga vendimi për testimin e mjekeve dhe infermierëve. Pas vendimit të Gjykatës Administrative për pezullimin e testimit, deputetja Vokshi tha se mjekët dhe infermierët do ta fitojnë betejën e tyre. “Dje përpara vendimit të gjykatës po hartonin një tjetër peticion pro testimit, duke u thënë mjekëve dhe infermierëve ose firmos tani ose do ikni nga puna. Por mjekët qëndrojnë stoik për të fituar këtë betejë. Me vendimin  gjykatës për pezullimin e testimit u pezulluat edhe ju zoti ministër. Tërheqje apo dorëheqje të dyja duhet t’i bësh zoti ministër. Nga kjo foltore të thërras për testim profesional. Ke katër alternativa, kërkoju ndjesë mjekëve dhe infermierëve, jep dorëheqjen, merr një avokat të mirë për mbrojtje dhe katër mos u mërzit “Ce la vie””,- tha Vokshi.

BOX

“Nuk ka reforma pa dhimbje”

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha dje se reformat në këtë sektor do të vazhdojnë sado kosto që të kenë ato. “Për herë të parë, në vitin 2015, do fillojmë të rimbursojmë edhe materialet mjekësore, do të rimbursojmë lentet e syrit për pensionistët, do të rimbursojmë strishat e matjes së glicemisë për fëmijët e sëmurë me diabet, do rimbursojmë pajisje të rëndësishme të kardiokirurgjisë, do rimbursojmë edhe pajisje të tjera mjekësore për herë të parë. Është një sfidë e madhe, por jemi të prirur ta vazhdojmë, por sigurisht të bindur që nuk ka reforma pa dhimbje”,-ta Beqaj. Ai shtoi se vendi shëndetësia ka nevojë për investime. “Pajisjet mjekësore, edhe kur prishen, rregullohen pas 2 ditësh, nuk rrinë më me muaj, që njerëzit të pilotohen në klinikat private. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë në rrugën e angazhimit madhor që kemi marrë: Mbulim Universal për këdo që është rezident në Shqipëri, që financohet nga taksimi i përgjithshëm dhe deri më sot, të gjitha angazhimet”,- tha ministri i Shëndetësisë.

 

SHKARKO APP