Beqaj: Zgjeruam listën e barnave dhe materialeve mjekësore

Më shumë barna dhe pajisje mjekësore, por edhe shërbim më i shpejtë do të ofrohet këtë vit në 25 qendrat e posacçme shëndetësore turistike të hapura në të gjithë vendin.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj ka vizituar disa prej qendrave shëndetësore në zonën e Durrësit, (QSH-në e zonës së Shkëmbit të Kavajës dhe asaj të Plazhit) për të parë nga afër funksionimin e tyre. Sipas ministrit Beqaj këtë vit, këto qendra urgjence shëndetësore kanë më shumë barna mjekësore dhe materiale mjekimi duke u mbështetur edhe tek përvoja e fituar një vit më parë.

“Gjatë këtij viti kemi përmirësuar listën e barnave dhe materialeve mjekësore që kemi furnizuar të gjitha qendrat, bazuar dhe në eksperiencën dhe çfarë mësuam nga viti i kaluar, nga ajo çfarë na kërkuan qoftë Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore, apo qoftë Qendrat Shëndetësore dhe DSHP-të e rretheve të ndryshme. Pra, çdo merak që përsëritet ndonjëherë në mënyrë të panevojshme, si për barna të tillë si Tetanozi, apo edhe Anti-viperat ndaj pickimeve të gjarprit, janë në këto qendra shëndetësore,” ka pohuar kreu i shëndetësisë.

Çelja e këtyre qendrave shëndetësore, sipas z. Beqaj, përkthehet në një numër më të madh turistësh të cilët vizitojnë vendin tonë gjatë sezonit të verës, dhe për pasojë, më shumë të ardhura për vendin. “Praktikisht, janë 25 qendra shëndetësore që gjatë sezonit veror turistik do të ofrojnë shërbim shëndetësor urgjence mjekësore 24/7 në të gjithë atë pjesë të territorit të vendit ku ka përqendrim të vizitorëve, pushuesve dhe mysafirëve të ndryshëm, të huaj, shqiptarë që jetojnë në Shqipëri apo shqiptarë që vijnë nga trojet shqiptare. Këtu kemi mjekë dhe infermierë, ofrojmë shërbim 24 orë. Besoj se është një vlerë e shtuar, në radhë të parë siguri për pushuesit, por ne besojmë se, qoftë ofruesit e shërbimeve të ndryshme turistike, pronarë apo sipërmarrës në hotele, në plazhe, në restorante dhe agjenci turistike janë më të sigurt në ofertën e tyre sepse kanë shumë më pranë shërbim mjekësor emergjence,” nënvizoi Beqaj.

Nga ana tjetër ai ka theksuar se këtë vit janë shtuar edhe 3 qendra të tjera shëndetësore në zonat turistike malore të cilat kanë nisur të funksionojnë nga dita e sotme. “Këtë vit për herë të parë kemi shtuar qendrën e Tamarës në Kelmend, kemi një qendër në Kala të Dodës dhe një në komunën Liqenas që prek pjesën e Prespës. Por, në këto tre qendra, nisur nga fakti se ku ofrohet shërbimi turistik, shërbimi ka filluar nga sot kurse ne 22 të tjerat nga data 15 qershor,” theksoi ministri Beqaj.

Të dhënat e vitit të kaluar tregun se një qendër urgjence mjekësore në zonat turistike trajtonte në ditë mesatarisht 50 pacientë, kurse në total morën ndihmë mjekësore 25 mijë persona.

 

Fjala e plot e ministrit:

 Siç publiku është i njohur prej gati dy javësh, por edhe në vijon të një praktike tashmë të vendosur që nga viti i kaluar në mënyrë më të konsoliduar, sot po vizitoj këtë qendër shëndetësore që ofron gjatë sezonit turistik veror shërbim mjekësor urgjence 24 orë në 7 ditë të javës.

Praktikisht, janë 25 qendra shëndetësore që gjatë sezonit veror turistik do të ofrojnë shërbim shëndetësor urgjence mjekësore 24/7 në të gjithë atë pjesë të territorit të vendit ku ka përqendrim të vizitorëve, pushuesve dhe mysafirëve të ndryshëm, të huaj, shqiptarë që jetojnë në Shqipëri apo shqiptarë që vijnë nga trojet shqiptare.

Gjatë këtij viti kemi përmirësuar listën e barnave dhe materialeve mjekësore që kemi furnizuar të gjitha qendrat këtë vit, bazuar dhe në eksperiencën dhe çfarë mësuam nga viti i kaluar, nga ajo çfarë na kërkuan qoftë Shërbimi Kombëtar i Urgjencës Mjekësore, apo qoftë Qendrat Shëndetësore dhe DSHP-të e rretheve të ndryshme.

Siç e shikoni, sot jemi prezent në këtë qendër shëndetësore që quhet e Shkëmbit të Kavajës. Këtu kemi mjekë dhe infermierë, ofrojmë shërbim 24 orë. Besoj se është një vlerë e shtuar, në radhë të parë siguri për pushuesit, por ne besojmë se qoftë ofruesit e shërbimeve të ndryshme turistike, pronarë apo sipërmarrës në hotele, në plazhe, në restorante dhe agjenci turistike janë më të sigurt në ofertën e tyre sepse kanë shumë më pranë shërbim mjekësor emergjence.

Vitin e kaluar nga të dhënat tona kemi arritur të shërbejmë këtu deri në 50 persona në ditë. Në të gjithë vendin, gjatë vitit të kaluar në të 22 qendrat ne kemi ofruar shërbim urgjence për 25 mijë vetë. Besoj se këtë vit me një rritje që pritet deri në nivelin 10-15% e turistëve në të gjithë sezonin turistik do të duhet të jemi prezent, sepse në radhë të parë, dhe e përsëris, u shërbejmë njerëzve më pranë, por gjykojmë dhe ulim një ngarkesë të panevojshme që vetvetiu do të duhet të merrte spitali Rajonal i Durrësit. Kështu që spitali të vazhdojë punën e spitalit, kurse këtu ne ofrojmë shërbimin më të parë, urgjencën më të parë dhe sigurisht e mbështesim me shërbimin e autoambulancës pasi ka raste që duhet të trajtohen në Durrës apo ndoshta edhe në Tiranë në QSUT apo në spitalin e Traumës.

Pyetje nga gazetarët

 Gazetar 1: z. Ministër ju thatë se është përmirësuar lista e barnave, por a janë furnizuar të 25 qendrat me barna?

 Ministri Beqaj: Lista e barnave e cila është miratuar që në janar është prezentë në të 25 qendrat shëndetësore që janë në të gjithë Shqipërinë nga Velipoja në Ksamil dhe këtë vit për herë të parë kemi shtuar qendrën e Tamarës në Kelmend, kemi një qendër në Kala të Dodës dhe një në komunën Liqenas që prek pjesën e Prespës. Por në këto tre qendra nisur nga mënyrë se kur është shërbimi turistik shërbimi ka filluar nga sot kurse ne 22 të tjerat nga data 15 qershor.

 Gazetar 2:  A janë furnizuar me barna?

 Ministri Beqaj: Me të gjitha barnat nga lista e miratuar nga Shërbimi Kombëtar i Urgjencës është prezent. Pra, çdo merak që përsëritet ndonjëherë në mënyrë të panevojshme si për barna të tillë si Tetanozi, apo Anti-viperat ndaj të pickimeve të gjarprit në këto qendra shëndetësore.

SHKARKO APP