Berisha dhe Micotaqis në vitin 1991

Nga Mitro Çela

Dimër 1991. Në Tiranë, mbërriti kryeministri i Greqisë, zoti Micotaqis. Në pushtet ishte Partia e Punës me Ramiz Alinë në ballë. Ndërkohë ishte krijuar Partia Demokratike. Unë dhe Filip Çakuli punonim në gazetën “Rilindja Demokratike”. Kryeministri I Greqisë, kishte parashikuar një takim me liderin e opozitës, zotin Sali Berisha. Takimi do të bëhej në hotel “Dajti”. Hoteli ishte i mbushur me punonjës të sigurimit. Dalloheshin lehtë. E kishin të shkruar profesionin në lule të ballit. I dyshimtë ishte edhe përkthyesi shqiptar i kryeministrit grek.

Ishte ky sebepi, që Berisha parapëlqeu si përkthyes Filip Çakulin. Për ta ndjekur sa më mirë debatin, duhet thënë se në atë mot, Filipi, ende nuk ishte njohës i mirë i greqishtes edhe pse ishte minoritar, nga fshati Dermisht i Sarandës.

Në takim ishte edhe Pashko dhe Azem Hajdari. Isha edhe unë me përkthyesin. Me filxhanët e kafesë përpara, biseda rrodhi e lirë. U fol për miqësinë mes dy popujve. Micotaqi tha që mes popujve tanë nuk ka pasur asnjë luftë. U përmendën bëmat e Marko Boiçari dhe Bubulinën. Miciotaqi tregoi, se kur fitoi revolucioni grek në vitin 1821, u mblodh parlamenti. U bë debat për të patur gjuhë të dytë edhe gjuhën avranite. Normale. Ajkën e revolucionarëve e përbënin avranitasit. Për pak vota, gjuha shqipe nuk fitoi.

Pastaj u fol për Ali Pash Tepelenën. “Kini qenë në Janinë,-pyeti Micotaqi. Aty është kalaja dhe ishulli ku pashait ju pre koka. Aty,- tha Micotaqi,- është varri i Pashait. Por vetëm trupi. Koka është varrosur në Stamboll…” Deri këtu, përkthimi i Filipit ishte na lartësinë e detyrës. Telashet dolën, kur biseda u përqendrua në ekonominë e tregut. Kryeministri grek tha:

– Zoti Berisha! Kur të vini në pushtet, duhet të tregoni një kujdes të veçantë për idhiotis?

Filipi, kur dëgjoi fjalën “idhiotis” ngurroi. Berisha e vështroi në dritë të syrit. I thotë Filipi:

– Kryeministri grek më duket i lodhur nga politika. Thotë të kemi kujdes për idiotët?!…

– Meqë pyet, thuaji se kemi tre spitale për trajtimin e të sëmurëve psiqikë. Një në Tiranë, një në Elbasan dhe një në Vlorë…

– Doktor! Tha Filipi. Pasi i numërova tre spitalet, ky më thotë, të të them se për idiotët duhet të krijoni kushte në të gjithë vendin…

– Thuaj: Do ta vëmë si pikë të veçantë në programin elektoral të PD-së…

Foli Berisha duke ngritur supet me habi…Takimi zgjati më shumë se dy orë…Kthehet Filipi në shtëpi. Gjënë e parë që bëri, hapi fjalorin shqip-greqisht.

“Idhiot” në greqisht do të thotë pronarë!?…

SHKARKO APP