Berisha: Kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ramës!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje para mediave kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, pasi, sipas tij, ai “rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por është edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë”.
“Përsëri jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit, i cili rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por rezulton edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë, çka përbën një krim të rëndë në vetvete. Emri i Edi Ramës lidhet me akuzën direkte të raportit të OSBE-së në vitin 2014, në të cilin njoftohej se Edi Rama mori detyrën e kryeministrit duke pasur të depozituara në bankat offshore 200 milionë euro. Ndaj kësaj akuze konkrete, Edi Rama nuk ngriti asnjë padi, civile apo penale, për të mos thënë që e kapërdiu në heshtje të plotë. Edi Rama u bë kryeministër me sarajet e Surrelit mbi shpinë, saraje me gjatësi themelesh 57 metra, dy herë më të gjata se vila e ish-diktatorit Hoxha, të ndërtuara me materiale të superkushtueshme. Me një oborr-park fillimisht 5400, aktualisht 8300 metër katrorë me ullinj shekullorë të shkulur në ullishtet e vendit dhe të implantuara në kopshtin e narkosulltanit të Surrelit”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

