Berisha, Kim Kardashian, Xhelali, Fiqoja dhe Modelet

 

Nga Lorenc Vangjeli

Në këtë dynja është shumë i rëndësishëm modeli. Eshtë i rëndësishëm modeli i flokëve, modeli i pantallonave, modeli syzeve apo këpucëve, të cilët edhe mund të identifikojnë një individ. Madje edhe modeli i të pasmeve mund të shndërrohet në një markë që jo vetëm identifikon individin, por dhe e bën atë të famshëm. Një keqkuptim cinik shqiptar me një foto, ende kujtohet si një nga lajmet më të bujshëm në atdheun tonë të zhytur në fushatë elektorale. Rasti i Kim Kardashianit, armenes amerikane është një tjetër dëshmi ulëritëse sesi funksinon dhe si do të funksionojë në sipërfaqe kjo botë. Modeli i modeleve dhe supermodeleve është e njëjta anë e të njëjtës histori, ku gjithkush tenton të krijojë një model, por përfundon duke ndjekur modele.

Imagjino sa i rëndësishëm është një model politik që dëshmon se kush është vetë njeriu. Që e bën një njeri të vendosë për shumë njerëz dhe të ndikojë në fatin e shumë e shumë njerëzve. Kështu ka qenë në të gjithë botën. Kështu është dhe në botën tonë të vogël, plot diell Mesdheu dhe male Ballkani.

Për shembull, Doktor Berisha është modeli i dëshiruar dhe i dëshpëruar politik i shumë njerëzve që kërkojnë të bëjnë të dallueshmin në politikë apo në shoqëri. Eshtë, fjala vjen, modeli autoritar i burrit të shtëpisë, që edhe marrëzinë e tij e quan veri dhe pastaj e ndjek atë si marinari busullën. Por deri më tani, pakkush di se cili ka qenë dhe është modeli i zotit Sali Berisha, edhe ish-antar i partisë komuniste të Enver Hoxhës, edhe ish-kryetar i partisë së parë antikomuniste në Shqipëri, edhe ish-presidenti i parë jo komunist, edhe dy herë ish-kryeministër në vend, edhe ish-kryetar në pritje për t’u rikthyer kryetar i PD-së së sotme. Ndoshta nuk ka. Sepse modeli nuk ka model. Sepse origjinali nuk ka nevojë të frymëzohet nga kopje të çfarë do lloji. Megjithatë, Doktor Bërisha (siç e quan zonja Jozefinë), ka dy modele. E thotë dhe vetë se ka dy modele.

Të parin po aq të pabesueshëm sa të dytin. Të dytin po aq të pazakontë sa të parin. Tipikë dhe atipikë si njerëz të politikës. Madje si të propozuar për t’u zgjedhur.

Po të mos e thoshte vetë, nuk do ta besonte as vetë veten.

I pyetur për fushatën e Bashës ai përfundon duke folur për Ramën dhe duke i vënë atij përballë Xhelalin …Xhelali ka asfaltuar…, Xhelali ndërtoi shkolla… Kurse Rama as asfaltoi, as ndërtoi, por vetëm betonizoi.

Vetë Xhelali ka një problem: është pak i dënuar nga gjykata e një shkalle dhe shpreson që shkalla tjetër të verë dorën në zemër, ndërkohë që ai vetë ndodhet në xhepin dhe zemrën e zotit Berisha.

Modeli tjetër i Doktorit është Fiqiriu, njeriu të cilin ai e kandidoi në Vorë dhe të cilit ai i ka prerë vetë shiritin elektoral të fabrikës së miellit në 2013-ën e disfatës. “…inauguruam në Vorë fabrikën më të madhe dhe me moderne të miellit në vend. …mielli dhe nënproduktet e saj janë të cilësisë dhe sigurisë me të lartë”.

Porv modeli i Doktorit u dëshmua i zbuluar: dhjetra e qindra qytetarë janë shpërngulur për të votuar në Vorë në favor të Ismailit. Dhe po aq keq ose edhe më keq sa metodologjia e deformimit të votës, ndodh dhe kursi i këmbimit të saj: miell për vota. Madje miell i helmuar për vota. Policia ka ndaluar disa automjete me miell të bllokuar nga autoritetetet si  tërësisht jashtë standarteve ushqimore dhe që po tentoheshin të shkëmbeheshin me vota.

Megjithatë, ky është një model i Doktorit. Që ai e sjell si model të suksesit. Dhe mund të ketë të drejtë. Sepse gjithçka varet nga këndvështrimi. Po ta shohësh botën me sytë e Kim Kardashianit, gjithçka rrotullohet ose tek të pasmet, ose tek dekolteja që në Tiranë, e nxjerr Doktorin e zbuluar. Dëshmon të vërtetën e tij politike, modelin e tij politik.  Doktori nuk e do Lulzim Bashën; ai do dhe dëshiron vetëm Xhelalin dhe Fiqiriun. Sepse është si ata. Sepse është modeli i modeleve të tij.

javanews.al

SHKARKO APP