Berisha: Revolta qytetare do të përmbysë diktaturën, opozita është përjashtuar nga Parlamenti
Pas protestës të së dielës, këtë mbrëmje Sali Berisha mbajti fjalën si çdo të hënë në Foltoren para Kryeministrisë. Për protestën e djeshme, Berisha tha se opozita zgjodhi të mos mbante thjesht fjalime, por të përçonte zërin dhe zemërimin e qytetarëve. Sipas tij, protesta ishte një dëshmi se Partia Demokratike nuk pajtohet me atë që ai e quajti “diktaturë e drogës, krimit dhe dhunimit të shtetit”.
”Revolta jonë ishte një zotim qytetar se ashtu si përmbysëm diktaturën komuniste 34 vite më parë, do të përmbysim edhe këtë regjim”,-deklaroi Berisha. Ai paralajmëroi se vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, ndërsa theksoi se protesta dhe revolta janë, sipas tij, rruga e vetme për të sjellë ndryshim politik. Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit, Berisha i cilësoi ato si farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit, ndërsa shtoi se prej shtatë muajsh në vend është instaluar një parlament që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve.
Kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që votuan opozitën, të reflektojnë mbi rolin e deputetëve në Kuvend, duke e cilësuar këtë rol si zero. Ai akuzoi edhe qeverinë se ka refuzuar çdo formë llogaridhënieje në Parlament, duke mos lejuar interpelanca apo ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. ”Sot Parlamenti nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, por vetëm interesat e qeveritarëve, ndërsa opozita është e përjashtuar nga çdo zhvillim”,-tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

