Berisha: Tahiri provohet anëtar i bandës së drogës, mandati ndërkombëtar i arrestit, i sigurt
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me një lajm të publikuar në mediat italiane, ku pas përgjimeve shihet se Moisi Habilaj, i arrestuar për trafik droge, përmend emrin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Në një mesazh në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Berisha pohon se mandati ndërkombëtar i arrestit për Tahirin është i sigurt. Mes të tjerash Berisha shton se ish-ministri merrte nga Habilajt 30 mijë euro për çdo rrugë transporti drogë që behej me skafin e tij. Opozita pak pas arrestimit të Habilajt, nisi sërish sulmet ndaj Tahirit, që sipas tij ka lidhje përveç fisnore, edhe atë të trafikut të drogës.
MESAZHI I BERISHËS
Pergjimet italiane arrestojne Sajmir Tahirin, mandati nderkombetar i arrestit eshte i sigurte!
Saje qorri provohet anetar i bandes, merrte nga Habilajt 30 mije euro per cdo rruge transporti droge qe behej me skafin e tij!
Miq, pergjimet e partnereve italiane, Konfirmojne perfshirjen e Tahirit ne trafikun e droges qe benin tezaket e tij Habilaj.
Lexoni me poshte shkrimin e publikuar nga mediat italiane. sb
LAJMI
“Zbardhen përgjimet e drogës, Moisi Habilaj: 30 mijë euro duhet t’ia dërgoj Saimirit
Një lidhje gjaku mund të ketë shumë rëndësi. Sidomos nëse e ke me një ish-ministër-i larguar nga detyra në mars-tepër të përfolur, pasi në vendin e tij akuzohet se mbron një klan trafikantësh droge.
Në Shqipëri, lajmi i arrestimit të Moisi Habilajt ka krijuar një tërmet të vërtet politik. 39-vjeçari, i kapur dje nga bërthama e policisë gjyqësore të Guardia di Finanza të Catanias në kuadrin e operacionit “Rosa dei venti”, është kushëri i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. I përfunduar më 2005 në syrin e ciklonit pas deklaratave të kreut të policisë kufitare të Vlorës, Dritan Zagani, i cili e akuzoi publikisht për bashkëpunim me krimin e organizuar lokal që merrej me trafikun e marijuanës nga Ballkani.
Sipas policit i detyruar më pas të strehohej në Zvicër, pasi akuzohet se u ka shitur informacion autoriteteve italiane dhe për këtë është në kërkim-kushërinjtë e ministrit transportonin drogë duke shfrytëzuar makinën private të tij.
Një Audi A8 e parë shumë herë të kalojë kufirin grek, por jo vetëm. I interesuari direkt, nga ana e tij, ka përgënjeshtruar gjithmonë, duke shpjeguar se makinën ua kishte shitur kushërinjve, por në të zezë, që më 2013. Verifikimet e detektivëve italianë megjithatë tregojnë një histori të ndryshme, në të cilët del edhe emri i politikanit.
Moisi Habilaj në Siçili kishte urën kryesore të punëve të tij, falë një rrjeti grosistësh të aftë për të blerë me pará në dorë qindra kile marijuanë, për t’ua shpërndarë pa dallim të gjithë klaneve mafioze aktivë në sheshet e shitjes. Jo vetëm në Catania, por edhe në Siracusa e Ragusa.
Në Shqipëri, mbi kushëririn e ministrit ka pasur vetëm dyshime të shumta. Asnjëherë i hetuar, asnjëherë i arrestuar, por shumë herë i fotografuar, për shembull me kreun e policisë kufitare të Dhërmiut. Një rezultat i udhëtimeve të shumta nga Shqipëria në Siçili, duke kaluar nga Puglia, për të akorduar shitjet e drogës, përshtatjen e vendit të zbarkimit dhe ato të ruajtjes së drogës.
Hetime që çojnë në emra e mbiemra. Si ai i Antonino Rielas, i dyshuar si pikë referimi në Catania për blerjen e drogës nga Shqipëria. Ushtarakët në nëntor 2013 monitoruan një takim midis këtij të fundit dhe Florian Habilajt, vëllai i Moisiut, pra edhe ai kushëri i ministrit Tahiri.
Takimi kokë më kokë u zhvillua në lagjen San Giorgio dhe, sipas akuzave, Riela i ka dhënë aty 30 mijë euro në dorë për një sasi marijuane. Objektivi ishte të merrnin veten sa më shpejt që të ishte e mundur nga sekuestrimi i 1650 kilogramëve në tetor, në shkëmbinjtë e Baia del Silenzio në Castelluçio, pranë Augustas.
“Sikur të kisha pasur një kallashnikov do t’i kisha vrarë të gjithë. Bam, bam bam”, thoshte Moisiu, i përgjuar, i zemëruar për ngarkesën e kapur dhe për vështirësitë për të mos u kapur nga “të zinjtë”, më saktë forcat e rendit.
Shqipëria për kushëririn e ministrit duhet të ketë qenë prej vitesh një zonë e lirë për punët e tij. Në një përgjim të bërë nga Guardia di Finanza e Catanias, vetë Moisiu i zbulonte disa detaje bashkëbiseduesit, një siçilian, titullar i një stacioni furnizimi Q8 pranë Lentinit: “Nëse vjen në Shqipëri do ta kuptosh që policia shqiptare është e korruptuar dhe ndodh që edhe vetë shefi i policisë personalisht ndihmon për ngarkimin e thasëve”.
Në të kundërt, në Itali, grupi pëson sekuestrime të vazhdueshme, si ai i 289 kileve marijuanë në Palagonia. Furnizimet ishullore të kartelit italo-shqiptar janë bllokuar edhe në portin e Ripostos apo në parkimin e qendrës tregtare Porte në Catania, ku hetuesit kanë gjetur një kamper me qira, të mbushur me drogë. Nisin kështu bisedime të gjata për të planifikuar dërgesa të reja dhe pikërisht në këtë moment Moisiu flet për kushëririn e tij ministër: “30 mijë duhet t’ia çoj Saimirit”.
Politikani futet në valle edhe në lidhje me makinën tashmë të famshme. Kushëriri, bashkë me bashkëpunëtorin e tij Sabi Çelaj, kanë shkuar në Siçili edhe me Audin që me letra i përkiste ende ministrit.
Ari i gjelbër i Ballkanit ka përfunduar edhe në dispozicion të Sebastiano Sardo, prej pak kohësh i penduar i drejtësisë, por në të shkuarën menaxhues i drogës për klanin Cappello në Catania. Për shqiptarët ishte “ai me syze” me të cilin bënin marrëveshje fitimprurëse edhe për furnizim me armë.
“Nëse sjellim diçka për të, i japim edhe ndonjë kallashnikov. Le të vriten mes tyre, kujt i plasi, ata i duan për vete”, thuhet në një përgjim.