Berisha tha se është i vetpërjashtuar nga PD, reagon Salianji: Kushtetuta e demokratëve nuk e ka këtë veprim
Ervin Salianji thotë se askush nuk mund të qëndrojë mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, e cila sipas tij është miratuar me votë nga anëtarësia dhe duhet respektuar nga të gjithë.
Në një postim në rrjete sociale, Salianji e cilësoi “gafë të rëndë” mungesën e seriozitetit ndaj demokratëve që mendojnë ndryshe, duke nënvizuar se të gjithë pjesëmarrësit në takimet e tij janë “demokratë 24 karat” dhe meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje.
Postimi i plotë i Ervin Salianji:
Askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë! Mungesa e seriozitetit ndaj demokratëve të shumtë që mendojnë ndryshe është një gafë e rëndë. Të gjithë pjesëmarrësit në takimet e mia janë demokrat 24 karat. Meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje.
Partia Demokratike ka nevojë për qartësi. Partia Demokratike ka nevojë të bëhet fituese. Këtë ja u ka borxh demokratëve, pas 13 vitesh opozitë. Kjo është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve që duan dhe presin rotacionin. Bashkimi i demokratëve dhe i gjithë opozitës rreth saj duhet të jetë përpjekja më serioze për ta bërë Partinë Demokratike fituese.
Ky qëllim është i parashikuar qartë në statut dhe më përgjegjësi në rast humbjeje dhe privilegje në rast fitoreje. Kushtetuta e demokratëve nuk ka as “vetpërjashtime”. Do vazhdoj të përfaqësoj pa ndalim dhe me gjithë sa kam shqetësimin real të demokratëve! Vullnetin e tyre për bashkim, për dinjitet dhe për një Parti Demokratike fituese. Shihemi të Dielën në Lezhë.
KOHA JONË SONDAZH

