BERZH: Shqipëria, të ketë rritje të paktën 4-5% në vit

Për Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ekonomia shqiptare do të rritet përafërsisht me nivelin prej 1% gjatë vitit 2016, kjo për një sërë faktorësh si të brendshëm, edhe të jashtëm. BERZH vlerëson gjithashtu se sektorët që do të kontribuojnë janë bujqësia dhe industria, ndërkohë pritet edhe gjallërimi i ndërtimit për shkak të efektit të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Nga ana tjetër, sipas BERZH-it, mundësitë e Shqipërisë për të tërhequr Investime të reja të Huaja Direkte do të varen nga krijimi i rregullave të të njëjtit nivel për të gjithë investitorët…

Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen ekonomike në 2016 në Shqipëri? Cilat janë mundësitë dhe rreziqet?

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që rritja ekonomike në Shqipëri për 2015 të jetë rreth 2.3%, duke u rritur në 3.3% në vitin 2016, në kuadër të përmirësimit të situatës në Eurozonë; efekteve pozitive të programeve të reformës strukturale, për shembull, në sektorin e energjisë; vazhdimësisë së Investimeve të Huaja Direkte; një rritjeje graduale në huadhënien e bankave dhe fillimit të punimeve për ndërtimin e linjës së gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).

Qeveria ka rritur përpjekjet për uljen e informalitetit në ekonomi të cilat do të gjenerojnë përfitime të gjëra në kuadrin e një periudhe afatmesme. Progresi i mëtejshëm në procesin e aderimit në BE në vitin 2016 do të bëhet një sinjal i rëndësishëm pozitiv për investitorët e huaj. Për më tepër, mundësitë e Shqipërisë për të tërhequr Investime të reja të Huaja Direkte do të varen nga krijimi i rregullave të të njëjtit nivel për të gjithë investitorët, zbatimi në mënyrë strikte i marrëveshjeve ekzistuese dhe respektimi i “rregullave të lojës”. Gjithashtu, sfidat fiskale vazhdojnë të jenë të rëndësishme dhe historikisht çmimet e ulëta të naftës kanë pasur një ndikim në aftësinë e qeverisë për të arritur objektivat e planifikuara të buxhetit.

Cilët janë sektorët që pritet të udhëheqin këtë rritje ekonomike?

Sektorët me ndikimin më të madh në rritjen ekonomike në periudhën pas krizës ishin bujqësia dhe industria (duke përfshirë energjinë), ndërsa sektori i ndërtimit kishte ndikimin më të ulët në rritjen ekonomike. Ne presim prirje të ngjashme në një të ardhme të afërt. Bujqësia është sektori më i rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë, duke llogaritur rreth një të katërtën e vlerës së shtuar vjetore dhe rëndësia sociale e tij është edhe më e lartë. Megjithatë, ekzistojnë disa sfida që kërkojnë zgjidhje për të përmirësuar efikasitetin në sektorin e agrobiznesit:

Sektori është shumë i fragmentuar me një mangësi të madhe për sa i përket teknologjisë dhe infrastrukturës; Sistemet e pamjaftueshme të mbledhjes, depozitimit dhe shpërndarjes ndikojnë në cilësinë dhe sigurinë e mallrave dhe mundësitë për tregtim në tregjet lokale dhe eksportuese. Informaliteti vazhdon të jetë i lartë në këtë sektor dhe për këtë arsye, fushata e qeverisë kundër informalitetit është shumë e rëndësishme.

Mundësia për financim ka qenë shumë e limituar deri tani.

Performanca e industrisë në një të ardhme të afërt është deri diku më e vështirë për t’u parashikuar. Pjesa e sektorit të industrisë përpunuese është shumë e ulët, në vetëm 6% të ekonomisë, është ndër më të voglat në Europë. Por, sigurisht, ka potencial të madh për rritje, veçanërisht në sektorët e punës intensive ku Shqipëria ka avantazh të madh për sa u përket kostove krahasimisht të ulëta të punës. Ndërsa kontributi nga industritë nxjerrëse do të varet nga çmimet globale të mallrave, sektori i energjetikës duhet të përfitojë nga axhenda e fundit gjithëpërfshirëse e reformës në sektorin e energjetikës. Gjithashtu, ndërtimi i linjës së gazit Trans-Adriatik dhe linjës gazsjellëse Jon-Adriatik do ta bëjë Shqipërinë një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit. Me punën e madhe në sektorin e ndërtimit që pritet të fillojë në vitin 2016 për TAP, ne gjithashtu presim që sektori i ndërtimit të ketë rritje përsëri.

Çfarë ndikimi do të kenë masat kundër informalitetit në të ardhurat nga taksat dhe gjithashtu në mjedisin për bizneset dhe tendencat e konsumit?

Problemi i informalitetit është i përhapur në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë. Mospërputhjet në llogaritë kombëtare në Shqipëri tregojnë se sektori i informalitetit llogaritet mesatarisht në një të tretën e PBB në periudhën 1996-2012. Kjo ka kufizuar zhvillimin e bizneseve të ligjshme, ka ulur të ardhurat nga taksat, ka mundësuar një furnizim jo të mjaftueshëm të mallrave publike dhe gjithashtu ka promovuar mungesën e mbrojtjes së punonjësve. Sipas Studimit mbi Mjedisin e Biznesit dhe Performancën e Sipërmarrjeve të kryer nga BERZH dhe Banka Botërore, mbi 40% e kompanive të studiuara në Shqipëri raportuan konkurrencë me kompanitë në sektorin e informalitetit; kjo konkurrencë është më e lartë ndërmjet SME-ve. Për këtë arsye, nevojiten më tepër përpjekje për promovimin e konkurrencës së drejtë ndërmjet kompanive duke ofruar nxitjet e duhura që ekonomia informale të bëhet pjesë e ekonomisë formale. Autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë masa të rëndësishme për uljen e informalitetit. Këshilli i Investimeve i sapokrijuar ka nxjerrë disa rekomandime shumë praktike dhe të studiuara mirë se si mund të arrihet një progres i mëtejshëm në këtë fushë të rëndësishme.

 

Gjithmonë e më tepër dëgjojmë mbi nevojën e krijimit të një modeli të ri ekonomik, ndërkohë që burimet aktuale të rritjes ekonomike po pakësohen. Cilat janë rekomandime tuaja, ku dhe si duhet të fokusohet qeveria?

Ekonomia shqiptare u rrit mesatarisht me 2.2% në periudhën 2010-2015. Kjo rritje është vetëm 1% mbi mesataren e rritjes ekonomike të BE në të njëjtën periudhë dhe nuk është e mjaftueshme që standardi i jetesës së vendit të konvergojë dukshëm me standardin e jetesës në vendet e BE-së. Për një përputhje më të dukshme, Shqipëria duhet të ketë një rritje prej të paktën 4-5% në vit. Megjithatë, kjo mund të duket jo realiste në situatën ku furnizimi me kapital të huaj – që ishte shumë i madh në periudhën para krizës – është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa sektori bankar vazhdon të ketë një nivel të lartë të NPL-ve (kredive me probleme), dhe qeveria përballet me një hapësirë të limituar fiskale për shpenzime në projekte publike. Kjo është arsyeja se pse rritja e konkurrueshmërisë në ekonomi është më e rëndësishme se asnjëherë.

BERZH ofron mbështetje për SME-të në Shqipëri nga pikëpamja financiare, cilat janë planet kryesore të BERZH për këtë sektor në 2016-n?

BERZH bashkëpunon me bankat tregtare dhe institucionet mikrofinanciare për përmirësimin e mundësive të financimit për SME-të. Veçanërisht, ne fokusohemi në segmentet e ekonomisë që kanë potencial të lartë por që deri tani nuk janë financuar mjaftueshëm nga institucionet financiare. Një shembull i tillë janë bizneset e drejtuara nga gratë. BERZH prezantoi programin “Women in Business” në Shqipëri për të rritur mundësinë për financim dhe shërbime konsulence për sipërmarrëset femra. Një shembull tjetër për një mbështetje të tillë do të fokusohet në sektorin e agrobiznesit. Aktualisht së bashku me qeverinë shqiptare, ne po finalizojmë një facilitet për rritjen e mundësive të financimit për agrobizneset në të gjitha proceset: nga agrikultura fillestare, logjistika, procesimi dhe shitja me shumicë dhe pakicë. Gjithashtu, SME-të më të mëdha dhe që kanë rritje të shpejtë mund të përfitojnë financim të drejtpërdrejtë nga BERZH. Këtu përfshihen financime me kapital ose instrumente të ngjashme nëpërmjet Fondit për Zgjerimin e Ndërmarrjeve (ENEF). Përfundimisht, njohuritë teknike dhe konsulenca janë po aq të rëndësishme për zhvillimin dhe rritjen e SME-ve. Ne ofrojmë zgjidhje për këto kërkesa nëpërmjet instrumenteve të Mbështetjes për Biznesin e Vogël (SBS) duke sjellë konsulentë lokalë dhe ekspertë industrie ndërkombëtarë për të ndihmuar SME-të të fitojnë njohuri teknike të cilat ju nevojiten për të kaluar në një nivel më të lartë.

“Monitor”

SHKARKO APP