Beteja e Lumës/Themeli i pavarësisë së Shqipërisë

Fillimisht po e nisi kёtё shkrim me njё rapsodi kushtuar trimave lumjanё nёpёr betejat e pёrgjakshme, e qё populli i kësaj krahine nuk i ka harruar kurrë:

 “Gjith Evropa duhet ta dijë,
      lufton Luma për Shqipni;
      Ky kral Pjetri po ban medet:
     Luma e kuqe m’faroi krejt”

“Djemt’ e Lumës hiç s’kan’ dert,
   ka nji luft’ bajn’ vjet për vjet,
  luft’ me krajl e luft’ me mret”.

Është tejet e panevojshme që një ngjarje tek ne të glorifikohet apo të mitizohet, nëse është e paqenë e inekzistente. Mirëpo, kur për atë ka fakte shkencore nga historianët, pos vendas, edhe të huaj dhe me kredibilitet ndërkombëtar, atëherë është tejet e dhimbshme ku një betejë që duhet të ishte në analet e historisë, të mos përkujtohet e nderohet nga institucionet shtetërore. Ishte një periudhë tejet e ndieshme e historisë shqiptare, meqë është e ndodhur në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shpërblimi që e morrën lokaliteti dhe pjesmarrësit, më vonë, pas Konferencës së Londrës, ishin masakrat dhe shkatërrimet e fshatrave. Lufta legjendare e malësorëve lumjanë e të rrethinës, me forcat pushtuese serbe (9 nëntor-6 dhjetor 1912) është sa e njohur, aq e pandriçuar, jo për mungesë burimesh historike, por për mungesë objektiviteti dhe mosinteresimi.

Pra, deri në vitet e 60-ta, kur edhe u prish vllazëria e Shqipërisë me ish-BRSS, ishte obligative nga sistemi hoxhist i partisë-shtet, me rekomandime të rusëve, që në librin e historisë shqiptare të pretendohej se pjesmarrësit e Betejës së Lumës kishin bërë gjenocid karshi serbëve dhe në një qfarë mënyre të cilësoheshin si kriminel, edhe pse kishin mbrojtur atdheun e tyre. Në vitin 1952, teksti i Historisë së Popullit Shqiptarë, iu nënshtrua recensioneve, vërejtjeve dhe shqyrtimeve të hollësishme të Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik. Për këtë arsye, për shkak të namit të madh të Lumës heroike, sistemi diktatorial i cili me vështërsi ishte instaluar në këtë krahinë, vetëm pasi bëri masakra dhe kërdi në shumë fshatra, Rrethin e Lumës siq e njeh e gjithë Shqiptaria, e zëvendësoi me emrin Rrethi i Kukësit.

Nuk janë të paktë ata që kanë folur për Betejën e Lumës heroike dhe shpartallimin e forcave serbe, ku ka shifra nga 12 mijë deri 18 mijë serb që kanë lënë kockat e tyre. John Keegan, njëri ndër historianët dhe sociologët më famoz të shekullit XX, habitet se si lumjanët luftonin dhe për herë të parë arritën t’i shpartallonin forcat serbe, të cilat po korrnin fitore të njëpasnjëshme në Ballkan. Nga ana tjetër edhe Histografia serbe e ka përmendur që ka pasur mbi 21 mijë ushtarë në batalionet në Prizren dhe në Lumë. Serbët e kanë ngulitur në kujtesë këtë humbje, duke thurrur vargje për të mos i harruar armiqtë shqiptarë, pasardhësit e tyre, ku në muzeun e kralave në Topallti afër Beogradit është e skalitur thirrja – amanet “Kujtoni Lumkallën e golgothanë e Spasit!”

Mirëpo, Luma e shkroi historinë e vet me armë e jo me laps, në ato vite të stuhishme.

Shumë publicist mendojnë që edhe Ismail Qemajli nuk do të mund ta ngrinte flamurin në Vlorë, po që se trupat serbe nuk do të shpartalloheshin në Lumë, më 15-18 nëntor 1912. Si pasojë e kësaj, në vitin 1913, mbi 27 fshatra të kësaj krahine u dogjën dhe qindra persona u masakruan. Duke e ditur që kjo krahinë shtrihet një pjesë e vogël në Kosovë, e më shumë në Shqipëri, pas vitit 1913 Shqipëria në një qfarë mënyre ishte e pamvarur dhe kësisoji banorë të fshatrave të Kosovës u detyruan të iknin në Shqipëri nga frika e represionit serb. Konsulli austro-hungarez Prochaska, thotë që edhe pse humbje të mëdha i shkaktuan serbëve, lumjanët rrezikoheshin nga ksenofobia e madhe e serbëve. Vendimi ishte që të masakroheshin të gjithë burra e gra nga krahina e Lumës. Për masakrat e ushtrisë serbe më 1913, janë shprehur të tmerruar publicistë shumë të njohur të kohës, si Leon Trocki, Leo Freundlich e Dimitrie Tucoviq.

Edit Durhami thotë se se “fisi” i Lumës ishte më i pavaruri midis gjithë fiseve myslimane; ndërsa Petër Bartl është shprehur: “Banorët e Lumës mbaheshin si jashtëzakonisht fanatikë dhe nuk linin këmbë armiku të hynte në krahinën e tyre”.

Studiuesi francezes, Bernard Louis – Jaray (1909) ka shkruar: “Lumjanët janë një popullsi luftarake, e pavaru; janë malësorë energjikë, të shkathët, guximtarë, të gjithë të armatosur e shenjues të mirë…”.
Më e rëndësishmja ishte që në krye të lumjanëve qenë “gjeneralë me tirq”, udhëheqës e luftëtarë të regjur e të kalitur ndër beteja, të shkolluar në akademitë luftarake të maleve, me përvojë të pasur jetësore, që ishin njëherit krerë edhe malësorë të thjeshtë.

Shumë persona u therrën me bajoneta dhe u lanë nëpër qendra të fshatrave ashtu gjysëm të vdekur, me qëllim që populli të frikësohet nga krimet barbare. Kjo betejë dhe këto krime serbe, veqse ishin frymëzim për popullin që armikut duhet vetëm me pushkë t’iu kundërvihemi. Betejat në Lumë vazhduan edhe në vitet 1913 e 1914, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, ku zhvilloi luftë të përgjakshme në Qafe të Zhurit. Serbët kërkonin që të dorëzoheshin figurat kombëtare dhe kësisoji do t’a linin rehat këtë krahine, mirëpo lumjanët zemër-luana, të rritur përgjatë Drinit, nga i cili e ka marrur edhe emrin kjo krahinë, nuk e kishin në zakonin e tyre dhe të shqiptarëve që të dorëzohen pa vdekur.

I vetmi personalitet politik shqiptar i cili e nderoi këtë Beteje ishte ish-kryeministri shqiptarë Dr.Sali Berisha, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai tha se Beteja e Lumës mbetet themel i pavarësisë së Shqipërisë. Në një numër aq të pabarabartë lumjanet vranë mbi 12 mijë ushtarë serb, por që kontributi i tyre nuk njihet më gjerë pos në lokalitete të ngushta. Sado që kontributi i Lumës në qështjen kombëtare ishte i madh, ajo mbeti e ndarë padrejtësisht midis dy shteteve, por që me lidhje të mbajtura vazhdimisht familjare e vëllazrore. Një apel do të ishte, që me vendim të dy qeverive shqiptare, Beteja e Lumës dhe vet vendet e krahinës ku janë zhvilluar këto beteja të shpallen heroike dhe të kenë nderim shtetëror nëpër përvjetorë. Ndoshta arsyeja se pse kjo betejë nuk nderohet dhe nuk përmendet nga zyrtarët shtetërorë, ka të bëjë me atë që Luma nuk ka ndonjë figurë që qon pesh në udhëheqje te institucioneve qendrore. Padyshim që, si lidershipi në Shqipëri po edhe ai në Kosovë, po të kishin gjyshërit e stërgjyshërit e tyre pjesëmarrës në këtë betejë, do të thurrnin lavde e do t’a ngrenin në piedestal, mirëpo meqë nuk kanë pasur nderin t’i kenë, atëherë edhe e kanë lënë në harresë. Derisa popujt e tjerë nga balta dhe nga mitet po krijojnë dëshmorë e beteja heroike, ne duke i pasur me fakte e pa trillime këto ngjarje po i bëjmë balte.

*Disa të dhëna janë marrur nga “Luma në luftërat për liri”, Prof.Dr.Shefqet Hoxha.

Albrim S. Badallaj Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë

SHKARKO APP