‘Beteja e premtimeve’ Rama-Basha/ Premtimet për Qeverinë e re, sa rriten pensionet

Në rast se ka një shtresë votuesish, që do të bënte diferencën dërrmuese ditën e zgjedhjeve, ata janë pensionistët. Janë 647 mijë pensionistë dhe përfitues nga skema e sigurimeve shoqërore, vota e të cilëve do të bënte fituese të padiskutueshme çdo parti politike në garën e 25 qershorit, shkruan “Panorama”.

Duke qenë kategoria shoqërore më e madhe në votime, edhe partitë i kanë përshtatur premtimet sipas dëshirës për t’i joshur. Por analizat ekonomike bëjnë shpesh që premtimet joshëse të kalojnë caqet e realitetit. Dhe si zakonisht, pas ditës së zgjedhjeve, pensionistët të vijojnë të numërojnë ato pak lekë që marrin si shpërblim për punën mbi 35-vjeçare.

Si është gjendja sot
Sot skema e sigurimeve shoqërore është deficitare. Që do të thotë se nga sigurimet që paguajnë të punësuarit, nuk dalin për të paguar pensionistët, ndaj qeveria merr një pjesë të taksave dhe i kalon në fondin e pensioneve. Nga FMN, Banka Botërore, Këshilli i Europës, është vlerësuar fort skema e re e sigurimeve. Por kjo skemë ka një detyrim të shkruar, që ndalon rritjen e përvitshme të pensioneve. Ndryshe nga qeveritë e tjera, kjo e socialistëve vetëm i ka indeksuar pensionet gjatë 4 viteve të qeverisjes. Kjo ka sjellë një shtesë shumë të vogël të pensionit nga viti në vit. Indeksimi më i madh i pensioneve është bërë gjatë këtij viti, me 3%. Kjo i shtoi pensionet mesatarisht me 446 lekë në muaj. Qeveria shpenzoi për indeksimin me 3 për qind 2.6 miliardë lekë, ose rreth 26 milionë USD. Në fakt, pensionet u rritën nga data 1 mars, dhe efekti vjetor do të jetë 3 miliardë lekë ose rreth 30 milionë USD.

SHPËRBLIM 10 MIJË LEKË NË VIT PO FITOI PS
Edhe pse zyrtarisht nuk ka një program të qartë elektoral, në konventën e hapjes së fushatës, përfaqësuesit e lartë të PS premtuan shpërblim të pensionistëve çdo fundvit. “Përmes paketës së solidaritetit për pensionistët prej 24 miliardë lekësh, do të vazhdojmë rritjen vjetore të pensioneve, duke u angazhuar që çdo pensionist të marrë si shpërblim fundviti nga 7 deri në 10 mijë lekë, duke nisur nga viti i parë i qeverisjes”, theksoi Otla Xhaçka në konventë, në atë kohë ministre e Mirëqenies Sociale.

Të shpërblesh pensionistët me 10 mijë lekë në fund të vitit është një akt i madh. Por shifrat nuk flasin për një qasje pozitive ekonomike. Sipas shifrave zyrtare të bilancit përmbyllës të vitit 2016, Shqipëria numëron 611,544 pensionistë. Me një shumë- zim të thjeshtë, për shpërblimin me 10 mijë lekë të tyre do të duheshin rreth 6,115 miliardë lekë. Ose rreth 61 milionë USD në vit. Për ta bërë më të thjeshtë, për vitin 2017, që është vit fushate, qeveria i rriti pensionet me 3% dhe shpenzoi 3 miliardë lekë. Mesatarisht pensionet u rritën 256 lekë në muaj në fshat dhe 446 lekë në muaj në qytet. Që do të thotë se nga rritja e pensioneve, një pensionist qyteti përfitoi 5354 lekë shtesë në vit, ndërsa një pensionist fshati 3080 lekë në vit.

Pra, qeveria në vitin elektoral i rriti pensionet me 5354 lekë në vit, dhe premton se në fund të po këtij viti dhe në vazhdim për 4 vitet e tjera do të japë shpërblim 10 mijë lekë, ose dyfishin e kësaj shume. Premtim shumë i madh… Por ndryshe nga partitë e tjera, PS ka një handikap në premtimet elektorale. Duke qenë paria që drejton qeverinë, ajo i ka të limituara premtimet në një dokument që quhet “Kuadri makroekonomik e fiskal”. Qeveria Rama ka miratuar në fillim të këtij viti parashikimet e të ardhurave dhe shpenzimeve, politikat e veta buxhetore dhe fiskale, për periudhën 2018-2020.
Në këtë dokument nuk figuron asnjë rritje, apo ndarje fondesh në një shumë prej 24 miliardë lekësh për pensionistët, që premton sot në fushatë PS. Në dokument parashikohet vetëm një shifër prej 3.1 miliardë lekësh, e barabartë për çdo vit nga viti 2018 deri në vitin 2020. Që përkthehet në një rritje prej 3% të pensioneve çdo vit, ose mesatarisht me 446 lekë në muaj në qytet.

Qeveria në fund të vitit mund të japë shpërblim edhe 20 mijë lekë, por dhe të prekë të gjitha parametrat e tjerë buxhetorë. Që do të thotë, ose të rrisë të ardhurat më shumë se parashikimi, ose të ulë shpenzimet më shumë sesa aktualisht. Por të gjithë këto duket se i ka të ndaluara në këtë dokument të miratuar në janar. “Politika fiskale për periudhën afatmesme 2018-2020 do të jetë e orientuar drejt konsolidimit fiskal”, thuhet në dokument, gjë që lë pak shteg për premtime kolosale. Nga ana tjetër, vetë sjellja e qeverisë me pensionistët gjatë katër viteve në pushtet nuk lë shumë shpresë. Në katër vjet në pushtet, qeveria e rriti pensionin mesatar në qytet me 1,243 lekë në muaj, ose mesatarisht 310 lekë në çdo vit. Por gjithçka mund të ndodhë. Një qeveri që ka pak fonde të angazhuara në punë të mëdha publike, në fund të çdo viti mund të gjejë fonde për të shpërblyer pensionistët.

PENSION MINIMAL 25 MIJË LEKË PO FITOI PD
“Në vitin e parë të qeverisjes së Republikës së Re, do të nisë rritja e pensioneve dhe brenda 4 viteve pensioni minimal do të jetë 25 mijë lekë të rinj”. Ky është premtimi elektoral i kreut të PD, Lulzim Basha. Premtim që habit të gjitha shifrat e buxhetit të shtetit. Sot të ardhurat minimale të një pensionisti në qytet janë 15 mijë lekë në muaj. Në fshat ato janë rreth 10 mijë lekë në muaj.
Sipas programit të PD, për 4 vite ato do të arrijnë në 25 mijë lekë në muaj, me një shtesë mesatare prej 2500 lekësh në vit ose rreth 16 për qind që vitin e parë të qeverisë, kjo vetëm për pensionet e qytetit. Sot, shpenzimet për pensione janë 117,6 miliardë lekë ose rreth 1.176 miliardë USD. Një rritje pensionesh me 16% në vit do të thotë që 188 milionë USD shtesë çdo vit vetëm për rritjen e re të pensioneve. Edhe kjo shifër, ashtu si premtimet e PS, i tejkalon parashikimet më optimiste.
Aq më shumë kur PD premton taksë të sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind dhe ulje të të gjitha taksave e tatimeve të tjera. Qartësisht, ose duhet të ndodhë një mrekulli ekonomike që të mbushë buxhetin me para taksash dhe të rrisë ndjeshëm kontributet e sigurimeve, ose premtimi mbetet një target vështirë i realizueshëm. Edhe në vitet më të mira ekonomike, gjatë qeverisjes së PD, ato 2005- 2009, pensionet nuk u rritën kaq sa premton sot Basha./panorama

 

SHKARKO APP